Vrasja e nxënësit 14-vjeçar të shkollës “Fan Noli” po përdoret politikisht. Ky është qëndrimi i kryeministrit Rama, të cilin e shprehu në takimin e dytë këshillues me prindërit për kufizimin e aplikacioneve TikTok e Snapchat, të mbajtur në Fier. Për kreun e qeverisë, nuk ka dyshim që ngjarja po përdoret si material për të bërë sa më shumë konfuzion për interesa politike.

“Kam dëgjuar në këto ditë kur një tragjedi është marrë dhe vazhdon akoma dhe përdoret si material, si ai materiali që thashë, të gjejmë material për të bërë sa më shumë konfuzion në trurin e njerëzve dhe me qëllimin për interes politik, luftë për pushtet ose biznes mediatik. Biznes mediatik domethënë të krijojë audiencë sa më shumë, të mbledhë sa më shumë njerëz, duke treguar dhe ta tregojë gjënë në mënyrë sa më katastrofike që filmi të mbajë sa më shumë njerëzit mbas ekranit. Nuk po hyj fare, them që një pjesë e atyre që janë në ekran, dalin atje të bëjnë moral, të tregojnë historira, të tregojnë edhe gishtin dhe dalin pastaj që janë të paguar nga të tjerë për të cilët ti akuzohesh se etj. Etj., s’dua të hyjë në këtë fushë dhe në këto kushte”, tha Rama.

Kryeministri shprehu qëndrimin e tij kundër shkollave të riedukimit për të miturit që kryejnë vepra penale dhe tha se në vend të tyre do të ngrihet një institut për të miturit.

“Kemi përfunduar një projekt për një institut të fëmijëve në konflikt me ligjin, është një model demokratik i shkollës së riedukimit, sepse ato sistemet e riedukimit kanë problematikën e tyre. Unë personalisht i kam parë gjithmonë me skepticizëm, se duket sikur në fakt i çon në një shkollë që të dalin më të shkolluar për të bërë atë, për të cilën ti në fakt i çove, që ata mos e bëjnë më. Në moshë nuk mund t’i çosh në burg dhe është, nuk është burg, nuk është shkollë vagabondësh. Është një institut ku ka programe të veçanta dhe ka një pedagogji të veçantë për t’u marrë me këta fëmijë, që mundësisht çfarë ka ndodhur të mos jetë një traumë, që pastaj thellohet dhe sa më shumë rriten, aq më shumë futen në atë rrugë të gabuar”, tha Rama.

Në lidhje me rrjetet TikTok e Snapchat, Rama tha se edhe pse është e pamundur mbyllja totale e tyre, qeveria është e vendosur në kufizime për të miturit.

“Problemi tjetër është që në pikëpamje teknike, thjesht teknike, këto janë të pandalueshme plotësisht, edhe sikur të duash. Ndalimi është i mundur në një pjesë shumë të madhe. Pra një ulje e rëndësishme e volumit të njerëzve, të fëmijëve që mund të kenë akses, është i mundur. Por kjo nuk është zgjidhja, kjo është një nga shumë elementët e zgjidhjes”, tha Rama.

Për të rritur sigurinë në shkolla, qeveria po planifikon instalimin e kamerave, për një akses më të gjerë edhe nga efektivët e policisë.

Tv Klan