Gjatë prezantimit të kandidatëve të ekipit të PS në qarkun e Kukësit, kryeministri komentoi foton e hartës së Kosovës që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, postoi pak ditë më parë në rrjete sociale, ku shfaqej territori i Kosovës me flamurin serb.

Duke e cilësuar hartën e ilustruar nga Vuçiç si një “hartë leshi”, Rama tha se është për të qarë dhe për të qeshur se si homologu i tij serb i rikthehet herë pas here provokimeve.

“Jemi shumë të vendosur të dalim në këtë tunel një orë e më parë dhe do të dalim pa diskutim në të njëjtën kohë edhe me shumë vende të BE, edhe pse u lamë jashtë skemës së shpërndarjes së vakisnave qysh në krye të herës. Më vjen mirë që ky moment i fillimit të vaksinimit të bluzave të bardha të Kosovës koincidoi rastësisht me publikimin dje të një harte leshi nga presidenti i Serbisë, i cili është edhe për të qarë edhe për të qeshur se si i rikthehet herë pas here provokimeve të kësaj natyre, që në fakt tregojnë një ngërç të madh, që është ngërçi i Serbisë, jo i yni. Ndërkohë që e ardhmja e shqiptarëve është në duart tona dhe unë kam shumë besim që përtej ngatërresave që bëjmë me duart tona ne ia dalim të bëjmë duke e penguar veten hera herës. Kjo dekadë do të jetë dekada e shqiptarëve, pa diskutim. Ndërkohë, për t’u kthyer tek ndeshja e 25 Prillit unë jam këtu me Ogertën, me Petritin me Halimin, me tre kolegë, bashkëpunëtorë, miq, të skuadrës së Kukësit që është skudra më e mirë që ne i kemi ofruar Kukësit të paktën që prej kohës kur unë jam në krye të Partisë Socialiste”, tha Rama./tvklan.al