Kryeministri i vendit, Edi Rama ka dhënë një prononcim për mediat pas mbledhjes 2-ditore të qeverisë në Tepelenë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka bërë të ditur se do të bëhet një reformë më e thelluar në arsim për të qenë të përgatitur për epokën e re që po krijon teknologjia.

Edi Rama: Ne kemi sfida që kanë të bëjnë me rritjen e cilësisë së krahut të punës. Shqipëria nuk mund të konsiderojë më avantazh konkurrues krahun e lirë të punës, sot nuk është më. Nuk mund të vazhdohet më duke përsëritur të njëjtën gjë, duhet shkuar drejt ciklit mbyllës dhe kështu me radhë ne kemi folur për një tjetër reformë që duhet të nisë në arsim për të thelluar më tutje një proces ku ne nuk mund të jemi të papërgatitur që po krijon kjo kohë e re. Ndryshime që ndodhin dhe vetë brenda botës së zhvillimeve teknologjike. Tani me inteligjencën artificiale, është se çfarë do të bëhet me këtë pjesë se mund të dalë komplet jashtë loje.

Kryeministri Rama ka shtuar se me inteligjencë artificiale do të ndryshohet komplet procesi i prokurimeve.

Edi Rama: Kemi folur për prokurimet, janë në një nivel tjetër nga se ishin më parë. Ato prodhojnë stres, padrejtësi, prodhojnë dhe një pjesë të rëndësishme të perceptimit të njerëzve për vendin. Me inteligjencë artificiale do të ndryshojmë tërësisht procesin e prokurimeve.

Po ashtu, Rama është shprehur se e-Albania do të transformohet tërësisht dhe do të komunikojë me qytetarët si Chat GPT.

Edi Rama: Jemi duke transformuar e-Albania, e cila do të komunikojë me qytetarët si Chat GPT.  Në këtë proces do të fusim dhe bashkëqeverisjen, brenda vitit do të kemi shoqëruesin me zë dhe figurë. E-Albania nuk do të jetë thjesht me shkrim. Këtë proces do ta shtrijmë dhe në të tjerë sektorë.

Kryeministri Rama ka thënë se me drejtësinë është filluar një reformë e inteligjencës artificiale që do të informojë mediat dhe qytetarët.

Edi Rama: Edhe për drejtësinë kemi filluar një reformë të inteligjencës artificiale që do të informojë mediat, personat që të kenë një tjetër instrument të një tjetër niveli për më shumë objektivitet. Janë shumë gjëra që janë duke u gatuar. Të gjitha kërkojnë forcën njerëzore. Rritja e forcës njerëzore, objektivi im kryesor dhe kjo mbledhje ishte në këtë sens./tvklan.al