Pas inspektimit në zonën e Shpiragut, ku kompania Shell ka të dhëna se ka zbuluar një depozitë shumë të konsiderueshme nafte e gazi në thellësi afro 6.2 km, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Energjisë dolen përpara gazetarëve për të ndarë disa detaje në lidhje me kërkimet.

Në bazë të një marrëveshje me kompaninë, asnjëri prej tyre nuk pranoi të japë shifra mbi sasinë e naftës që mendohet se ndodhet në nëntokën e kësaj zone, por sigurojnë se pas testeve tre mujore që nisin në Tetor rezultatet priten të jenë të jashtëzakonshme saqë do të ndryshojnë ekonominë e vendit.

“Nuk e kam fjalën se njëri do marri një kovë me naftë apo do marri lekë në dorë, por e kam fjalën që përfitimi ekonomik dhe financiar nga kjo pasuri do të impaktojë pensionet, do të impaktojë bilancin e pagesave të Republikës së Shqipërisë padiskutim.”

Pas analizave të bëra në qendrën e Shell në Amsterdam, Kryeministri siguron se cilësia e naftës së gjetur është e një cilësie tepër të lartë.

“Është një naftë e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite.”

Ministrja Balluku shpjegon detaje nga kontrata se si do të ndahet fitimi mes shtetit shqiptar dhe kompanisë Shell, e cila nëse provat do të rezultojnë pozitive, do të investojë deri në 7 miliardë Euro në infrastrukturë për të bërë të mundur eksportin e naftës.

“Eshtë e dakordësuar 10% renta minerare mbi produktin. Ndërkohë tatim-fitimi është në masën 50%. Kemi bonusin e prodhimit që është 250 mijë Dollarë me prodhimin e fuçisë së parë, 750 mijë Dollarë kur prodhimi arrin 15 mijë fuçi, 1.5 milionë Dollarë kur prodhimi arrin 30 mijë fuçi në ditë, ndërkohë që janë dhe të gjitha bonuset e tjera. Granti i faktorit R që do të aplikohet nga fillimi i kësaj kontrate.”

Nën modelin norvegjez, qeveria do të ngrejë një fond sovran për administrimin.

“Fondi Sovran do të integrojë domosdoshmërinë për mbështetjen e pensionistëve.”

Ndërkohë janë gati dhe skenarët për nyjen portuale që do të përdoret për t’u eksportuar sasitë e gazit dhe naftës që do të nxirret nga nëntoka shqiptare. Triporti në Vlorë, pika dalëse e TAP-it në zonën e Fierit dhe më pak i mundshëm është skenari i tretë, ai i Porto Romanos.

“Të dyja opsionet e para janë ato të cilat do të merren parasysh.”

Duke i dhënë një vëmendje maksimale një lajmi të tillë që Rama deklaron se do të ndryshojë jetën e çdo shqiptari, Kryeministri nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve për ndryshime në qeveri, hetimet e SPAK apo kërcënimet që vijnë nga Greqia për bllokim të procesit të integrimit.

“Unë i druhem vetëm një gjëje që testi në Tetor në Shpirag të mos dalë pa sukses.”

Të vetmes pyetje jashtë teme që i dha përgjigje, ishte ajo për akuzat mbi mosfunksionimin Kadastrës.

“Nëse shihni volumin e shërbimeve të dhëna nga Kadastra krahasuar me më parë është shumë më i lartë.”

Tv Klan