Kryeministri Edi Rama ka zbuluar arsyen përse nuk është ftuar në darkën informate të së hënës në Athinë, ku me ftesën e kryeministrit grek Kzyriakos Mitsotaqis morën pjesë liderët e tjerë të rajonit.

Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Rama deklaron se nuk ka shkuar në Athinë për të mos shqetësuar homologun grek dhe të ftuarit e tij.

Arsyeja është e thjeshtë: nuk doja të shqetësoja mikpritësin dhe të ftuarit e tij, duke e shtuar zhurmën para se miqtë e mi të mirë të mbledhur në Athinë të përfundonin punën e tyre.

“Jam i lumtur që Kyriakos mori iniciativën për të thyer bukën me liderët shumë të rëndësishëm dhe për të diskutuar të ardhmen evropiane të Ballkanit në sfondin e agresionit rus. Rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën tonë të përbashkët. Unë i kam thënë gjithmonë atij apo miqve të tjerë grekë, publikisht në disa raste, se sinqerisht besoj se vendi i tyre ka një rol të natyrshëm në Ballkan duke pasur parasysh profilin dhe përvojën e tij në BE.”

Shpreh pakënaqësi për mesazhet që përcolli darka informale në Athinë ndaj Shqipërisë.

“Shpresoj shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos kisha parë darkën e përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor përballë qëllimit shumë më ambicioz të nismës dhe shpresoj që ky fakt fatkeq të mos i ngatërrojë mysafirët e nderuar. Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët në radhë të parë është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri. Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq.”

Edhe pse nuk u ftua në darkën që u organizua nga kryeministri grek, Rama thotë se Mitsotakis në Tetor është i ftuar të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë.

“Në tetorin e ardhshëm Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti në Tiranë. Natyrisht, miku im i dashur dhe kolegu shumë i respektuar në Athinë ka qenë i ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të përgjigjesha nën zë, duke ftuar në vend të tij Presidenten grek, për të cilën kam edhe respektin më të madh.”

Për kreun e qeverisë tashmë është koha që vendet europiane të forcojnë bashkëpunimin dhe të mos bien pre e presioneve të palëve të treta.

“Unë e kuptoj presionin e palëve të treta, të etur për të shfrytëzuar çdo rast për të bërë një mal nga një kodër. Por ne të gjithë kemi sfida shumë më të mëdha përpara, ka male të vërteta për t’u ngjitur. Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla të trazuara për hir të popullit tonë, vendeve tona, rajonit tonë, Evropës tonë është më e madhe se ajo që na ndan. E rrezikshme te jemi peng e politikes se brendshme fisnore.”

Në darkën informate në Athinë, kryeministri grek ftoi presidentin Bajram Begaj, i cili e refuzoi për shkak të agjendës.

Klan News