Gjatë kësaj fushate elektorale kryeministri Edi Rama ka përsëritur shpesh historinë se si dy prej futbollistëve më të mirë në histori, Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo, kanë arritur suksesin që kanë sot.

Këtë të shtunë para të rinjve socialistë të Durrësi, ai ka rrëfyer një bisedë që ka pasur me trajnerin e njohur italian Carlo Ancelotti për Cristiano Ronaldo-n. Italiani i ka thënë se nuk ka njohur deri më tani një lojtar që të stërvitet si futbollisti i Juventusit.

Këto janë kostot e suksesit sipas Ramës, por duke e lidhur me 25 Prillin, shtoi se qytetarët nuk kanë sakrificë të madhe për të bërë nëse duan që Shqipëria të bëhet e ardhmja jonë.

“Nga ana tjetër është ai tjetër Cristiano Ronaldo që nuk ishte talent si ky, por edhe ai e kishte ndarë mendjen, e kishte parë ëndrrën me sy hapur. Carlo Ancelotti më ka thënë ‘në të gjithë karrierën time si sportist, si trajner në të gjitha skuadrat zinxhir që kam parë në klubet që kam stërvitur, nga fëmijët e deri tek të mëdhenjtë’, nuk e ka njohur akoma një djalë që të stërvitet aq shumë sa stërvitet sot Cristiano Ronaldo.

Suksesi ka kosto. Sa më shumë ta kërkosh, aq më shumë do paguash. Sa më shumë ta dëshirosh aq më shumë duhet të jesh gati të sakrifikosh. Më 25 Prill nuk kemi asnjë sakrificë të madhe për të bërë, por kemi vetëm nevojë të angazhojmë energjitë tona dhe të shkojmë dhe të trokasim në çdo mendje dhe zemër, që ta bëjmë Durrësin të ardhmen tuaj dhe Shqipërinë të ardhmen tonë”, tha Rama./tvklan.al