Kryeministri: Brenda 2022 uji i garantuar në të gjitha qendrat urbane

Gjatë një takimi me pronarët e bujtinave në Lezhë kryeministri Edi Rama sqaroi planin e radhës të PS për të zeruar taksën për personat që paguhen deri në 40 mijë lekë. Nuk mohoi se ky plan ka sjellë debate në qeveri.

“Jemi ende duke debatuar, se nuk dimë a ta bëjmë në 2022 apo 2023. Masën për ta zeru taksën, jo deri te 300 mijë lekshi po te 400 mijë lekshi. E di që nuk është përgjigjia që ti do por unë jam i detyruar që të them të vërtetën”.

Teksa dëgjoi shqetësimet e përfaqësuesve të bujtinave, Kryeminstri premtoi se brenda fundit të vitit 2022 të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë do të kenë ujin e garantuar ndërsa për Tiranën ky proces do të jetë më i vështirë.

“Brenda fundit të vitit 2022 të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë do të kenë ujin e garantuar sepse të gjitha janë në kantier ose në ndërtim e sipër. I vetmi vend ku është problem edhe më i madh është Tirana që mund të zgjasë deri në 2023. Për të pasur 24 orë ujë në të gjithë hapësirën e vet. Kam parasysh jo vetëm bashkitë brenda për brenda por edhe komunat më të populluara”, tha Rama.

Ndonëse turizmi ishte një nga sektorët më të prekur nga pandemia, kryeministri Edi Rama tha se ia ka dalë të mbijetojë.

Klan News