Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit ka njoftuar sot se procesi i vaksinimit në Shqipëri do të bëhet sipas tre skenarëve. Rama tha se ambicia është i gjithë procesi i vaksinimit të bëhet për 14 muaj, ku do të përfshihen të gjitha kategoritë dhe të gjitha moshat e parashikuara për t’u vaksinuar.

Por Kryeministri u shpreh se janë dhe dy skenarë të tjerë, që vaksinat të bëhen për 18 muaj, por dhe për 24 muaj.

“Kemi tre skenarë, i pari është vaksinimi i të gjitha kategorive dhe të gjitha moshave që përfshihen në planin e vaksinimit për 14 muaj , skenari i mesëm ka një axhendë 18 mujore dhe skenari i tretë ka një axhendë 24 mujore. Ne do të bëjmë gjithçka sipas skenarit të parë. Brenda javës së tretë do të vijnë dozat e para dhe pastaj do të porosisim doza të tjera dhe nga Pfizer që është firmosur nga të dyja palët.

 Dua ta nënvizoj këtu që siç mbase ju ka rënë në sy edhe nga fakti se Pfizer bëri një deklarim publik se ka krijuar një pakënaqësi publikisht, për shtyrjen me një javë për të gjitha angazhimet e veta, për të rritur prodhimin dhe ka bërë një frenim të përkohshëm për arsye të logjistikës. Ky është një proces që ka të papriturat e veta, por ne jemi të përgatitur për çdo gjë. Përveç pikës në Tiranë, kemi në plan që vaksinimi të kryhet në Shkodër, në Vlorë dhe më tej në të gjitha vendet e tjera. Do të shtrihem në të gjithë vendin për të arritur ëq vaksinimi të bëhet sipas skenarit të parë”, u shpreh Rama./tvklan.al