Sezoni i vështirë duket se është hedhur pas krahëve nga Ylber Ramadani. Mesfushori u shndërrua në heroin e Lecces kundër Torinos, duke shënuar golin që ndoshta vlen sezonin për skuadrën puliane.

Në prekjen e parë të topit, Ramadani lëshoi një silurë të vërtetë nga rreth 30 metra, e ngjashme me një raketë tokë-ajër që fluturon në cepin e sipërm të portës së Torinos. Ekzekutim perfekt nga ana e mesfushorit shqiptar që shpërtheu në lot.

Një gol për kartolinë nga ana e 29-vjeçarit, që mungonte në fushën e lojës prej dy sfidash. Me 46 minuta në fushë, Ramadani rrëmbeu çmimin e lojtarit më të mirë, ndërsa kishte edhe një thirrje për tifozët.

“Përshëndetje tifozët e Leçes. Ejani në Romë për të qëndruar në Serie A. Faleminderit të gjithëve”, është shprehur Ylber Ramadani.

Një moment tepër special ky për mesfushorin shqiptar, i cili këtë sezon, e kishte humbur besimin e trajnerit Marco Giampaolo. Ky ishte goli i parë i Ramadanit për këtë edicion. Lecce mbetet në garë për mbijetesë ndërsa në ndeshjen e fundit sfidon Lazion.

Klan News