Mazhoranca po bën gati draftin e Reformës në Drejtësi për t’ia paraqitur Kuvendit për votim. Kryeministri Rama në seancë planare i është drejtuar deputetëve të djathtë, të pranishëm, duke iu premtuar se drafti do të miratohet dhe se pret që këtij procesi t’i bashkohet edhe opozita.

Rama u kujdes të theksojë edhe një herë se mazhoranca nuk do ta pranojë propozimin e vendeve të rezervuara në organet kushtetuese, që do të ngrihen nga pas Reformës në Drejtësi.

Pasi premtoi se reforma do të miratohet edhe pa mbështetjen e opozitës, Kryeministri tregoi edhe mënyrën si kjo mund të arrihet duke sjellë shembullin e ndeshjes se Kombëtares me Zvicrën, ku përballë njëri – tjetrit do të vihen shumë shqiptarë, ndër ta edhe vellëzërit Xhaka.

Në kalendarin 3 javor të punimeve të Kuvendit është parashikuar edhe Reforma në Drejtësi, por Konferenca e Kryetarëve nuk ka vendosur ende për datën kur do të votohet. Do të nevojitet një tjetër mbledhje e Konferencës së Kryetarëve për të vendosur për këtë datë.

Sa i përket çështjes ende të nxehtë të pajisjes së përgjimit, Rama e konsideroi këtë të ezauruar dhe akuzoi opozitën se po sulmon në mënyrë të padrejtë Ministrin e Brendshëm.

Seanca e sotme nuk ka kaluar pa tensione. Deputetët e opozitës, duke gjetur ofeza në fjalimin e Kryeministrit ndërprenë dy herë punimet dhe kërkuan që të mblidhet Byroja Parlamentare për të pezulluar Ramën.

Tv Klan