Ramush Haradinaj heq dorë nga mandati i deputetit

Posta

Ramush Haradinaj heq dorë nga mandati i deputetit

21:20 15/10/2019

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i tij i deputetit. Largimin e ka konfirmuar vetë Haradinaj në një postim në Facebook.

Pa harruar të falenderojë votuesit e tij që në këto zgjedhje i dhanë mandatin e deputetit, Ramush Haradinaj shkruan se vendin e tij në Parlamentin e Kosovës do ta lëjë për kolegët pasardhës.

Ai nuk sqaron arsyen e heqjes dorë nga mandati i deputetit, por thotë se do të punojë gjithmonë për forcimin e sovranitetit të Kosovës.

Postimi i plotë i Ramush Haradinajt:

Tani që po përmbyllet ky cikël zgjedhor, dua që të shprehë mirënjohjen time të thellë për secilën nga mbi 100,000 votat e besuara nga Ju, për mua si kandidat për Kryeministër.

Përjetësisht falënderues!

Do të vazhdoj të mbetem besnik ndaj vullnetit tuaj politik, besimit që ma keni dhënë dhe përkrahjes së vazhdueshme e të pakursyer për tash e 20 vite, përgjatë të gjitha proceseve që ka kaluar vendi.

Fati im personal e politik, asnjëherë nuk ka qenë më i mirë se fati i Kosovës. Në secilin rast, do të vazhdoj punën e pandalshme në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe do t’u qëndroj në krahë edhe kundërshtarëve politik, nëse ata do të vazhdojnë drejtimin që nisëm ne, për mbrojtjen dhe forcimin e interesit strategjik dhe sovranitetit të Kosovës.
Uroj që sa më parë të kemi konstituim të institucioneve, me të njëjtën pjekuri politike siç e zhvilluam këtë proces zgjedhor.
Ulësen time në Kuvendin e Kosovës, do ta lë për kolegët, por pa ndalë, do të vazhdoj të mbaj të hapura dyert e Aleancës për reformën e nevojshme që e kërkoi sovrani, dhe për mbajtjen e vëmendjes së plotë e të pakursyer tek temat jetike për vendin, pa asnjë kompromis.
Ua kam borxh rikthimin e fuqishëm të një Aleance të pjekur, të strukturuar mirë, me kuadro të reja, gjithsesi me rrënjë të forta thellë në tokën e Kosovës. Përgjithmonë i juaji, sa herë kërkon vendi e populli. /tvklan.al


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi