Janë pamje të trafikut në rrugën drejt plazhit të Ranës së Hedhun në Shëngjin. Fluksi i pushuesve është rritur ndjeshëm. Më shumë se 3 mijë automjete hyjnë çdo ditë në këtë zonë turistike.

E ndaluar para viteve ‘90 dhe e kufizuar deri 5 vite më parë, ky plazh është tërheqje e madhe për vizitorët dhe pushuesit. Specialisti i turizmit dhe njëherazi banor i zonës, Gjovalin Maklaj, flet për të shkuarën e Ranës së Hedhun dhe legjendat e saj.

“Rana e Hedhun ka qenë zonë ushtarake dhe prandaj kjo është kryesorja që turizmi në atë zonë nuk është zhvilluar. Pamja e saj, ku mali, deti, rëra e pastër dhe kurative. E veçantë e rërës e cila ngjitet në lartësi rreth 200 metra në mal. Disa e quajnë edhe një histori të mbinatyrshme”.

Turistët kanë kureshtje ndaj zonës në përgjithësi, të cilën e vlerësojnë maksimalisht për atë çfarë ofron dhe sigurisht atë që të mundësohet në këtë plazh që ka nisur vitet e fundit të eksplorohet plotësisht.

“Unë mendoj se ky plazh është i mrekullueshëm. Po vij nga ana tjetër dhe po e shijoj këtë ditë në këtë vend dhe sigurisht për mua si amerikan është një vend shumë interesant, jo i shtrenjtë dhe me ushqime të mira”.

“Kemi 5 vite që ne vijmë tek Rana e Hedhun duke bërë më shumë se 2 mijë kilometra nga Gjermania që të shijojmë këtu pushimet. Ky është një vend i pastër, i kristaltë, i paprekur dhe shoh që çdo vit rritet numri i turistëve. Ajo që më ka befasuar është mali me rërën që duket sikur e kanë hedhur lart. Është një vend i veçantë nga ku mund të shohësh Gjirin e Lalëzit dhe plazhin e Velipojës dhe për mua që vij nga Gjermania është diçka që nuk mund ta shohësh në plazhe të tjera”.

“Unë vij këtu me dëshirë të madhe pasi mendoj se është një prej plazheve më të bukura pasi është i veçantë dhe me njerëz shumë miqësor. Çmimet për ne si turistë janë normale, por mendoj se kjo është një zonë e pamundur për të pushuar vendasit për shkak të çmimeve. Kjo është një aventurë për turistët. Është e veçante që të kesh male kaq afër bregut, një nga gjërat më të bukura në Europë dhe duke qenë një natyre e mbrojtur i jap një status të mirë plazhit të Ranës së Hedhun duke tërhequr shumë turistë”.

Në 3 kilometra vijë bregdetare, plazhi i Ranës së Hedhun është tërheqja më e madhe edhe e kësaj vere, ndërsa të huajt vazhdojnë ta përfshijnë në turet e tyre turistike duke dashur të eksplorojnë një zonë mistike, me histori dhe sigurisht një pamje mahnitëse e pushimeve verore.

Tv Klan