Rafael Duamena u bë pjesë e futbollit shqiptar, pasi firmosi me Egnatian në Janar të vitit 2023. Gjatë kësaj periudhe kohore ai ka lënë shenjë me golat dhe aftësitë e tij në fushë.

Me 11 golat në Superiore dhe lojën e tij ai fitoi zemrat e tifozëve rrogozhinas, ndërsa ishte pjesë e suksesit historik të klubit në Kupën e Shqipërisë në sezonin 2022-2023.

Në kualifikueset e Ligës së Konferencës, shënoi 3 herë.

Në sezonin 2023-2024, 28-vjeçari që mori edhe shiritin e kapitenit, në 10 takime realizoi 9 herë e dha edhe 1 asist.

Gjatë karrierës së tij, 28-vjeçari kishte luajtur në Austri, Zvicër, Spanjë dhe Danimarkë.

Me përfaqësuesen e Ganës, sulmuesi kishte zhvilluar 8 takime, ku kishte shënuar 2 gola.

Problemet e Duamenas me zemrën janë konstatuar që në vitin 2017.

Në Gusht të këtij viti, transferimi i sulmuesit të Braiton në Premier League nuk u realizua për shkak të dështimit të vizitave mjekësore. Mjekët i thanë se kishte probleme me zemrën.

Në Gushtin e 2018 kaloi te Levante në Spanjë, për 6.2 milionë Euro. Në vazhdim u huazua te Real Zaragoza në La Liga 2.

Në Tetor të 2019, mjekët e këshilluan të tërhiqej nga futbolli, pas një ataku në zemër.  

Në Janar të 2020, implantoi defribilator, e vazhdoi të luante. U bë pjesë e Veljes në kampionatin e Danimarkës, ku pas pesë ndeshjesh, mjekët ia ndaluan të luante.

Ganezi u kthye në Austri me Blau-Veis Linz, por në një ndeshje të Kupës pësoi një sulm në zemër dhe u shtrua në spital.

Pavarësisht kësaj, Duamena nuk u tërhoq. Ai vazhdoi që të luante futboll, derisa pësoi sulmin vdekjeprurës në fushë me fanellën e Egnatias.

Klan News