Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre për Energjinë dhe Infrastrukturën, Belinda Balluku ka bërë të ditur situatën në vend si pasojë e reshjeve intensive shiu.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, ministrja Balluku shkruan se në terren ndodhen të gjitha strukturat në varësi të së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për të vepruar ndaj problematikave që mund të shfaqen.

Referuar të dhënave nga terreni, ministrja Balluku shkruan se situata paraqitet si më poshtë:

FURNIZIMI ME ENERGJI ELEKTRIKE:

Aktualisht janë 18 fidera jashtë funksionit, ku momentalisht problem paraqitet zona e Kavajës. Brigadat e Tensionit të Lartë kanë ndërhyrë në 15 linja 35kV dhe nënstacione, duke rikthyer energjinë në zona ku u shfaqën problematika. Linjat e  Hidrovorëve dhe institucioneve të rëndësisë së veçantë janë në funksion të plotë. Në linjat e transmetimit të energjisë dhe nënstacionet e OST situata paraqitet e qetë dhe pa problematika. Si pasojë e reshjeve ka pasur rritje të prurjeve në kaskadën e Drinit, ndërsa janë marrë masat për të mos pasur shkarkime. Situata në tre hidrocentralet paraqitet:

Fierzë: Niveli 266.43 m; Prurjet 200 m3/s

Koman: Niveli 172.55 m; Prurjet 240 m3/s

Vau Dejës: Niveli 74.40 m; Prurjet 30 m3/s

 AKSET RRUGORE

Aktualisht në të gjitha akset rrugore të vendit qarkullimi kryhet normalisht, pavarësisht reshjeve të shiut që po vijojnë. Në terren ndodhen të gjitha grupet e punës duke bërë pastrimin e akseve nga rënia e gurëve apo inerteve, për të garantuar vijimin pa problematika të lëvizjes.

FURNZIMI ME UJË

Në rajonin e Fierit, përkatësisht në stacionin e Kutës është shfaqur problem me elektromotorët e pompave ku ekipi po punon intensivisht për riparimin e tij sa më parë.  Në rajonet e tjera situata e furnizimit me ujë, si dhe impiantet e përpunimit të ujërave të ndotura, janë në kushte optimale.

PORTET DHE AEROPORTET

Në portin e Durrësit situata paraqitet normale në të 3 terminalet. Nuk parashikohen vonesa për tragetet në nisje.  Në portin e Vlorës situata paraqitet e qetë. Nuk ka kufizime dhe pezullim të anijeve të peshkimit dhe mjeteve të vogla lundruese, ndërkohë që anijet e transportit ndërkombëtar detar po vijojnë të operojnë normalisht. Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe aeroportin ndërkombëtar të Kukësit, situata paraqitet e qetë dhe pa problematika.

/tvklan.al