“Mospajtimet mes Tiranës dhe Prishtinës duhet të sheshohen në takime të mbyllura dhe të arrihet gjuha e përbashkët për të ecur para”, kështu është shprehur ish-Kryeministri Avdullah Hoti sa i takon raporteve mes dy vendeve.

Hoti theksoi se zyrtarët në Prishtinë harrojnë që Tirana është zëri i Kosovës në të gjitha tryezat ndërkombëtare ku nuk është pjesë dhe se është për keqardhje që për dy vite rresht nuk mbahen mbledhje të përbashkëta mes qeverive.

Avdullah Hoti, ish-Kryeministër i Kosovës: Unë nuk doja të fokusohesha të identifikoj fajtorin për këtë situatë, por ajo që është për keqardhje që për dy vite rresht nuk mbahen mbledhje të përbashkëta mes qeverive, një mekanizëm shumë i mirë për të koordinuar vendimmarrjen në të dyja shtetet. Besoj që zyrtarët në Prishtinë po harrojnë që Tirana është zëri ynë në të gjitha tryezat ndërkombëtare ku ne ende nuk jemi pjesë. Mospajtimet mes Tiranës dhe Prishtinës duhet të sheshohen në takime të mbyllura dhe të arrihet gjuha e përbashkët për të ecur para. Gjendja në të cilën jemi tani në mungesë të një komunikimi efektiv dhe kthimi i këtij komunikimi mes Tiranës dhe Prishtinës përmes protokolleve, unë mendoj që është për keqardhje dhe besoj që do të marrë fund së shpejti.

Lidhur me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, Hoti u shpreh se Kosova ka të drejtë në qëndrimin që mban, por kur këto çështje kthehen në funksion të agjendës së brendshme elektorale, dëmtojnë vendin.

Avdullah Hoti, ish-Kryeministër i Kosovës: Plot çështje në veri dhe në pjesë të tjera të Kosovës sa i takon integrimit të komunitetit serb brenda institucioneve të Kosovës u hoqën nga tavolina e dialogut në Bruksel. Ka pasur disa marrëveshje dhe për Urën e Ibrit dhe çështje të tjera sa i përket integrimit të komunitetit serb brenda institucione dhe shoqërisë dhe ekonomisë në përgjithësi. Mua më vjen keq të shoh që ata tema hapen përsëri. Kosova ka plotësisht të drejtë në veprimet që ndërmer, por gjërat janë më të komplikuara. Dëmi po i bëhet vendit kur këto tema të ndjeshme kthehen në funksion të agjendës së brendshme elektorale.

Ndërkohë sa i përket zgjedhjeve të 9 Shkurtit 2025 në Kosovë, Hoti shprehet se janë në rrugë të mirë për të kthyer besimin e qytetarëve dhe se po punojnë që të fitojnë këto zgjedhje./tvklan.al