Pas konstatimeve që Departamenti Amerikan i Shtetit bëri në raportin e tij mbi klimën e të bërit biznes në Shqipëri, Lulzim Basha sheh lidhjet e qeverisë me krimin, si arsyen kryesore se përse investitorët e huaj, sipas tij, nuk financojnë kapitalin e tyre në vendin tonë.

Lulzim Basha, Kryetar i PD-së:

Qeveria amerikane është institucioni më i fundit që po konfirmon politikën korruptive dhe kriminale të Edi Ramës. Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit për klimën e biznesit në botë, thekson se Shqipëria nuk është vend i përshtatshëm për bizneset amerikane për shkak të korrupsionit, mungesës së shtetit ligjor, korrupsionit në PPP dhe prokurime publike dhe mungesës së konkurrencës. Fakti më i rëndë që dëshmon nivelin kriminal të qeverisë Rama në ekonomi është pohimi se investitorëve të huaj Edi Rama u bën shantazh të bashkëpunojnë me klientët e tij ose përndryshe nuk kanë shans të investojnë.

Për opozitën një tjetër dëshmi e korrupsionit qeveritar është edhe analiza e bërë nga Gjykata Europiane e Auditit lidhur me kontratat e partneritetit  Publik Privat.

Jorida Tabaku deputete e PD-së:

30% e tenderave në qeverinë Rama jepen përmes metodës korruptive të “Negocimit pa Shpallje”. Gjykata Europiane e Auditit ka nxjerrë shifrat që faktojnë se 1 në 3 kompani përfiton abuzivisht nga tenderat, duke shmangur procedurat për një garë të ndershme, që do t’i kursesnin buxhetit miliona euro nga taksat e shqiptarëve. Kjo do të thotë se 1 në 3 tendera jepet pa garë.

Opozita ka paralajmëruar se pas ardhjes në pushtet në funksion të një konkurence të lirë do të rishikojë ligjin e koncensioneve e Prokurimeve Publike si dhe atë antimafia.

Tv Klan