Qeveria legalizoi 92 ndërtesa në pronësi të komuniteteve fetare

Në raportin e departamentit të shtetit vihet në dukje se qeveria legalizoi 92 ndërtesa në pronësi të komuniteteve fetare gjatë vitit 2020, krahasuar me 164 në vitin 2019, ndërsa statusi i 32 pronave të tjera mbeti nën shqyrtim. Raporti vë re disa mospërputhje midis shifrave të raportuara nga Kadastra dhe atyre të komuniteteve fetare.

Komuniteti Mysliman raportoi se mori letrat e legalizimit për 27 xhami nga 353 kërkesa të mbetura. Kisha Ortodokse tha se Kadastra legalizoi katër nga 15 ndërtesa për të cilat kishte bërë kërkesë gjatë vitit. Komuniteti Mysliman raportoi se mori 1.26 milion lekë afërsisht 12,600 dollarë si kompensim për ndërtimet e paligjshme në pronën e tij.

Qeveria shqiptare ka marrëveshje të veçanta me komunitetet fetare dhe ligji përcakton që jep mbështetje financiare për to ndërsa vërehet se nuk u dhanë fonde për Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare.

Raporti vë re se “Korrupsioni, mungesa e njohurive për kompetencat dhe juridiksionin mbi çështjet e pronës dhe ngarkesat e mëdha në sistemin gjyqësor, penguan komunitetet fetare të kërkojnë pronën e tyre”.

Bashkësitë fetare thuhet në raport drejtojnë 113 institucione arsimore përfshirë universitete, shkolla fillore e të mesme, institucione parashkollore, kopshte, shkolla profesionale dhe jetimore.

Klan News