“Çështja e pronave vështirëson tërheqjen e investitorëve”

Korrupsioni mbetet shkaku kryesor që vështirëson klimën e të bërit biznes në Shqipëri. Këtë e konstaton Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin për vitin 2020 për klimën e biznesit në vendin tonë, ku renditen arsyet pse investitorët amerikanë dhe ata të huaj ngurojnë të vijnë në Shqipëri.

Raporti përmend korrupsionin në sistemin gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimet publike dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri. Këto probleme vazhdojnë të ekzistojnë, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për përmirësimin e klimës për thithjen e investimeve të huaja, thuhet në raport.

“Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesit. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme tregtare me ente publike dhe private, që kanë arritur deri në arbitrazh ndërkombëtar. Në 2019 dhe 2020, përpjekja për investime e një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin”.

Një tjetër shqetësim i rëndësishëm janë edhe problemet me pronat.

“Ka pasur raste që individë dyshohet se manipulojnë sistemin gjyqësor për të tjetërsuar pronësinë e tokës. Mbivendosja e titujve të pronave është një çështje serioze dhe e zakonshme. Procesi i kompensimit për tokën e konfiskuar nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë i rëndë, joefikas dhe i papërshtatshëm. Sidoqoftë, parlamenti miratoi një ligj mbi regjistrimin e kërkesave të pronës në 16 Prill, i cili do të sigurojë një lehtësim për mbajtësit e titujve”.

Megjithatë, DASH e sheh shpresën për ndryshim tek reforma e sistemit të drejtësisë e miratuar 4 vite më parë dhe që është duke u zhvilluar aktualisht. Me përfundimin e saj dhe shkarkimin e të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve të lidhur me krimin dhe që kanë pasuri të pashpjegueshme, çka është edhe kusht për anëtarësimin në BE pritet të ketë përmirësim të klimës së investimeve në vend.

Tv Klan