Korrupsion i lartë, PPP-të shqetësim, po pengohen investitorët

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për klimën e biznesit 2021 shpreh kritika për klimën e biznesit në Shqipëri me gjithë masat e marra nga qeveria Rama. Si rrjedhojë e problemeve gjyqësore, DASH vë në dukje se u penguan përpjekjet e një kompanie amerikane për të investuar në Shqipëri.

“Në 2019 dhe 2020, përpjekja për investime e një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin. Çështja tani është në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet në raport.

Sipas raportit investitorët e huaj përmendin korrupsionin në gjyqësor dhe prokurime mungesën e transparencës në prokurimin publik, ekonominë informale dhe zbatimin e dobët të kontratave si disa nga problemet më të mëdha në Shqipëri.

Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesit. Disa investitorë të SH.B.A.-së janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme tregtare si me ente publike dhe private, duke përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar.

Korrupsioni sipas raportit vazhdon të minojë shtetin e së drejtës dhe të rrezikojë zhvillimin ekonomik., veçanërisht në gjyqësor. Zbatimi i reformës gjyqësore është në proces, duke përfshirë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjegueshme. Më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar vetingut janë shkarkuar për pasuri të pashpjegueshme ose lidhje me krimin e organizuar. BE pret që Shqipëria të tregojë përparim në ndjekjen penale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, verifikimi i të cilëve zbuloi sjellje të mundshme kriminale. Zbatimi i reformës gjyqësore në vazhdim, dhe përfundimi i saj pritet të përmirësojë klimën e investimeve në vend, thuhet në raport.

DASH e vë theksin edhe në projektet e partneritetit publik privat (PPP), që cilësohen problematike, pa një analizë të qartë kosto-përfitime dhe që kanë ulur mundësinë e konkurrencës, përfshirë dhe nga investiorët e huaj.

Analizat e dobëta të kostos dhe përfitimit dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave të PPP janë shqetësime të vazhdueshme.

Mbivendosja e titujve të pronave është një çështje serioze dhe e zakonshme. Parlamenti miratoi një ligj mbi regjistrimin e kërkesave të pronës në 16 Prill, 2020 i cili do të lehtësojë mbajtësit e titullit por procesi i kompensimit të tokës së konfiskuar nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë i vështirë, joefikas dhe i papërshtatshëm.

Klan News