Shqipëria është vendi me cilësinë më të dobët të ujërave të notueshme në kontinent. Në një raport të publikuar nga Komisioni Europian dhe Agjencia Europiane e Mjedisit, vlerësohet se, në Shqipëri vetëm 50% e ujërave të notueshme përmbushin cilësitë e mjaftueshme.

Në Shqipëri janë analizuar 597 kampione të siteve ujore dhe ka rezultuar se vetëm 25 prej tyre kanë cilësi të shkëlqyer të standardeve të ujit, 39 cilësi të mjaftueshme dhe 31 kanë cilësi të dobët.

Nga 31 sitet e ujërave të notueshme me cilësi të dobët, 24 ndodhen në qytetin e Durrësit.

“Edhe pse është ndërtuar impianti i trajtimit të mbetjeve të ujit në Durrës, uji është i ndotur për shkak të rrjeteve të kanalizimeve”,

thuhet në raport.

Në tabelën krahasuese me vendet anëtare të Bashkimit Europian, Shqipëria rezulton, si vendi me prezencën e ngjyrës së kuqe më të madhe, ngjyrë që tregon cilësinë e dobët të ujërave të notueshme.

Ndërkohë, vendet fqinje përmbushin standardet e cilësisë së shkëlqyer të ujit duke u rradhitur në tetëshen më të mirë europiane, si Greqia në nivelin 97,2%, Kroacia në nivelin 94,2 % dhe Italia 90,5%.

Raporti ve në pah, se 97% e siteve të ujërave të notueshme në të gjithë Europën plotësojnë së paku minimumin e standarteve të direktivës europiane të 2006.

Tv Klan