Shqipëria është vendi i dytë me normën më të lartë të rritjes ekonomike mes vendeve që aspirojnë të bëhen anëtare në Bashkimin Europian.

Në raportin e performancës ekonomike të këtyre shteteve, Komisioni Europian e rendit ekonominë shqiptare të dytën me rritjen më të shpejtë, pas asaj serbe. Në tremujorin e tretë të vitit ekonomia vendase u rrit me 4.5%, ndërsa i gjithë viti pritet të mbyllet më një rritje në nivelin 4.1%.

“Rritja ekonomike e Shqipërisë u rrit me afërsisht 4.5% në tremujorin e tretë, pas një mesatareje rritje prej 4.3% në gjashtë muajt e parë të vitit 2018”.

Po ashtu Shqipëria rezulton se ka vijuar reformat ekonomike edhe në uljen e papunësisë, e cila ra me 1.8% në total, përfshirë këtu edhe uljen e papunësisë tek të rinjtë.

“Norma e papunësisë vazhdoi rënien, duke u reduktuar me një mesatare prej 1.35 pikë përqindje nga viti në vit. Papunësia tek të rinjtë mbetet e lartë, por është ulur krahasuar me pikun që kapi në nivelin 34% në 2015-n. Sot ajo regjistron një nivel prej 23%”.

Por Komisioni Europian shprehet i shqetësuar lidhur me rënien e investimeve të huaja direkte.

“Investimet e huaja janë rritur krahasuar me një tremujor më parë, por ato rezultuan 92% më të ulta se në tremujorin e tretë të vitit 2017”.

Në raport evidentohet se të ardhurat nga taksat vitin që shkoi u ulën për shkak të goditjes nga zhvlerësimi i Euros dhe se shpenzimet publike u ngadalësuan, veçanërisht ato kapitale.

Reformat e evidentuara nga Komisioni Europian i komentoi në një shkrim në rrjetin Facebook kreu i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj. Ai tha raporti është një lajm i mirë për vendin ku konfirmohet puna e vështirë për arritjen e reformave për rritjen ekonomike, uljen e borxhit dhe papunësisë.

Tv Klan