Autoritetet amerikane pesë ditë më parë zbuluan një skemë të trafikut ndërkombëtar të armëve dhe pastrimit të parave, ku të përfshirë janë disa shqiptarë të Kosovës që jetojnë në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Albert Veliu, ish-shofer i Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, është nga të akuzuarit kryesorë në këtë skemë që ka të bëjë me trafik armësh, pastrim parash dhe trafik droge. Hetimi është kryer nga DEA dhe rezulton se Veliu është përgjegjës për trafikun e disa kallashnikovëve AK-47 dhe një raketë anti-tank. Personat e tjerë të arrestuar janë Christopher Curanovic, Anthony Noterile, Dilber Kukic, Xhevat Gocaj, Agim Rugova, Ekram Sejdija dhe Alban Veliu, të akuzuar për përfshirje në skemën e pastrimit të parave të pista që buronin nga trafiku i armëve dhe drogës.

Sipas raportit të plotë të zyrës së prokurorit të Nju Jorkut, u zbulua se Christopher Curanovic, një bashkëpunëtor i mafies Cosa Nostra, kërkoi të merrte një borxh nga ish-bashkëpunëtor i tij me precedent penal. Nga përgjimet, agjentët mësuan se Albert Veliu, Curanovic dhe Anthony Noterile (bashkëpunëtor i Cosa Nostra), krijuan një skemë të paligjshme për pastrimin e parave, për të shlyer borxhin e marrë nga Curanovic. Ata mundën të pastronin rreth 800 mijë dollarë, të ardhura nga trafiku i drogës.

Ndërkohë, edhe të pandehurit e tjetër Kukic, Sejdija, Gocaj, Rugova dhe Alban Veliu u përfshinë në skemën e pastrimit të parave duke lehtësuar punën përmes skemave të tjera mashtruese.

Burime konfidenciale të DEA-s mësuan gjithashtu se Albert Veliu ishte i përfshirë edhe në trafikun e armëve në Kosovë. Ai përdori lidhjet e tij në Kosovë për të ndërmjetësuar shitjen e një duzine me kallashnikovë AK-47 dhe raketë anti-tank.

Gjatë një bisede të tij të përgjuar nga hetuesit amerikanë, Veliu përmendte “atlete” si kod për AK-47 dhe “atletja e madhe” për raketën. Për këtë çështje bashkëpunoi edhe policia e Kosovës.

Për hetimin e kësaj skeme ku u përfshinë shqiptarë të Kosovës dhe bashkëpunëtorë të mafies italiane, u angazhuan një sërë autoritetesh amerikane.

/tvklan.al