“Vendosën kontakte direkte me trafikantët e Amerikës Latine”

Sipas një raporti të “Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar”, grupet kriminale shqiptare, po e zgjerojnë aktivitetin e tyre. Faktor janë bërë kontaktet direkte me kultivuesit e drogës në Amerikën Latine.

Që nga fillimi i viteve 2000 kur grupet kriminale shqiptare nisën ekspansionin e tyre në vendet e Europës situata ka ndryshuar tërësisht sipas një raporti të “Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar”.

Në një analizë të detajuar për evoluimin e krimit shqiptar, raporti saktëson se Shqipëria u kthye në vend origjine për kanabisin gjatë viteve ‘90, por sot shqiptarët konsiderohen faktor i rëndësishëm në kontrollin e linjave të drogës.

“Fillimisht shqiptarët ishin në shërbim të italianëve në këtë bashkëpunim, por gjatë dy dekadave të fundit, falë edhe lidhjeve me furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine dhe rrjetet e tyre në vende të Evropës perëndimore ku ka shumë emigrantë shqiptarë, ata kanë arritur të ngjitin shkallët e hierarkisë kriminale, deri në atë pikë sa në disa raste janë bërë partnerë të barabartë me grupe mafioze italiane”.

Një tjetër shtet ku operojnë grupet kriminale shqiptare është Holanda. Shqiptarët u përfshinë në trafikun e qenieve njerëzore në vitet ‘90 dhe më pas të emigrantëve, ndërsa pas vitit 2010 në trafikun e drogës. Në raport thuhet se mendohet se shqiptarët luajnë rol të dorës së parë në botën e krimit në Amsterdam.

Ndër të tjera në raport thuhet se nga viti 2008, shqiptarët shkuan në Amerikën Latine si emisarët e grupeve mafioze italiane si Ndrangheta dhe Kamorra, dhe si përfaqësues të grupeve grupeve mafioze nga vende të tjera evropiane, për blerjen e sasive të mëdha të kokainës atje me qëllim trafikimin ne Europë.

Tv Klan