Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë ka përshëndetur progres-raportin e Komisionit Europian që rekomandon hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ambasada e SHBA thotë se do të vijojë mbështetjen për Shqipërinë për zbatimin e reformave të cilat do të mundësojnë intergrimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Ne mirëpresim rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe konfirmimin e saj se Shqipëria vijon të bëjë përpara në zbatimin e reformave jetike dhe të pakthyeshme. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara që të punojnë me partnerët tanë shqiptarë dhe të BE-së për të siguruar integrimin me sukses të Shqipërisë në Bashkimin Europian, përfshirë edhe mbështetjen tonë të plotë për zbatimin në vijim të reformave legjitime dhe kushtetuese gjyqësore”, thotë ambasada amerikane.

Një ditë më parë, Komisioni Europian publikoi progres-raportin që rekomandon hapjen e negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë. Raporti do të votohet nga Këshilli i Europës, ku vendet anëtare të unionit do të vendosin për hapjen ose jo të negociatave. /tvklan.al