Shqipëria, ashtu si edhe vendet e Ballkanit, njihen për dashurinë e tyre që kanë për pijet alkoolike dhe rakinë në veçanti.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, populli ynë renditet ndër ata që konsumojnë më pak alkool. Kjo sasi është shumë e ulët krahasuar me vende të tjera si Bjellorusia, Lituania, Moldavia apo Rusia që kryesojnë për përdorimin e alkoolit.

Bazuar në numrin e përgjithshëm të popullsisë, mesatarisht një shqiptar konsumon 5 litra alkool në vit. Por, duke llogaritur vetëm personat që pinë alkool, kjo shifër rritet në 13 litra në vit. Një tjetër shifër dëshmon se meshkujt janë ata që konsumojnë më shumë pije alkoolike me rreth 17,4 litra në vit, ndërsa femrat pinë rreth 10 litra më pak.

Në vendin tonë, duke parë preferencat, 32% e konsumit të alkoolit është birrë, 20% verë ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga pije të ndryshme alkoolike, ku një peshë të rëndësishme zë rakia.

Për të folur lidhur me këtë temë ishin të ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan gazetarët Flora Xhemani, Kozeta Kurti, Klinton Zeqiraj dhe moderatori Arbër Çepani.

“Sipas meje, shqiptarët e pëlqejnë alkoolin, këtë e tregon edhe raporti që kemi me rakinë, me pijet e forta. Faktet tregojnë që Ilirët kanë bërë verë shumë të mirë, flitet për një verë mjalti. Sensi i masës është shumë i rëndësishëm kur ti dëshiron të shijosh alkool”, tha Çepani./tvklan.al