Një raport i një Komisioni Parlamentar francez, që ka kryer hetime mbi sulmet terroriste të vitit të kaluar në Paris, bën thirrje për krijimin e një agjencie të vetme kombëtare të anti-terrorizmit. Reformimi i shërbimeve të zbulimit është një nga dhjetëra rekomandimet e bëra nga komisioni në raportin e publikuar.

Ligjvënësit francezë thanë se një hetim parlamentar gjeti dështime të shumta të agjencive të zbulimit para sulmeve terroriste të vitit të kaluar në Paris, në të cilat u vranë 147 persona.

Ligjvënësi konservator, Georges Fenech, i cili kryesoi komisionin hetimor, tha se autoritetet kishin njohuri për të gjithë personat e përfshirë në sulmet e vitit 2015. Disa prej tyre kishin dënime të kaluara ose ishin nën mbikëqyrje gjyqësore.

Ndërsa, ligjvënësi i Partisë Socialiste në pushtet, Sebastien Pietrasanta përmendi disa nga gjetjet e raportit mbi dështimet e agjencive të zbulimit në parandalimin e sulmeve. “

Ne nxorëm disa përfundime: monitorimi i vëllezërve Kouachi (Cherif Kouachi dhe Said Kouachi), ashtu si monitorimi i Larossi Abdallah-ut kohët e fundit, tregon se nganjëherë në rastet kur përgjimet e sigurisë nuk prodhojnë asgjë, mund të jetë një shenjë se ata mund të kenë kaluar në veprime klandestine. Rasti i Amedy Coulibaly-it zbulon të metat e administratës së burgjeve. Edhe pse ai ishte i njohur për radikalizimin e tij, ai u dënua për një përpjekje për të nxjerrë nga burgu një nga autorët e sulmeve të vitit 1995; ai u lirua nga burgu pa u monitoruar më pas nga shërbimet e zbulimit. Dhe asnjë informacion mbi rastin e tij nuk u nda nga administrata e burgjeve. Edhe rasti i Samy Amimourit zbulon të metat e sistemit të kontrollit gjyqësor për terroristët. Ne nuk e kuptojmë pse monitorimi i tij u ndal pasi ai u mor në pyetje dhe pse gjykata nuk e vazhdoi kërkesën për vazhdimin e monitorimit të tij.”

Në sulmet e vitit 2015, terroristët vunë në shënjestër një dyqan hebre ushqimesh, gazetën Charlie Hebdo, sallën e koncerteve Bataclan, stadiumin kombëtar dhe disa restorante në Paris.

/tvklan.al