18 tetor 2026 – Komisioni Evropian ka reaguar ndaj protestave të dhunshme në Shqipëri, duke dënuar aktet e zjarrvënies dhe sulmet ndaj institucioneve shtetërore, ndërsa ka theksuar se e drejta për protestë duhet të respektohet dhe ushtruar në mënyrë paqësore.

“Ne dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera në Shqipëri, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike, dhe reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda ligjit dhe të jetë i përpjesëtueshëm.

Përgjegjësit duhet të ndëshkohen në përputhje me ligjin dhe përmes një procesi të drejtë. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, që duhen respektuar dhe ushtruar në mënyrë paqësore.

Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare që e drejta për të protestuar do të mbrohet. Në një vend kandidat të përkushtuar fort ndaj procesit të anëtarësimit në BE dhe që po bën përparim të rëndësishëm në rrugën e tij drejt BE-së, pakënaqësitë duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore”.

Për situatën ka reaguar dhe Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, i cili ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit të protestive kryesisht në Tiranë.

Schieder, ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit të situatës së dhunës duke e konsideruar të papranueshme, pavarësisht nëse vjen nga persona që depërtojnë në protesta me qëllime të dhunshme apo nga shteti dhe policia.

“Në të gjithë Europën, të rinjtë po dalin në rrugë pikërisht tani, nga Parisi, përmes Berlinit, e deri në Tiranë. Ata po luftojnë për arsim më të mirë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Kjo është diçka e mirë dhe e drejtë dhe duhet t’i nxisë qeveritë të ndryshojnë mënyrën e të menduarit. Arsimi është kapitali ynë më i rëndësishëm për të ardhmen dhe nuk duhet të varet kurrë nga gjendja financiare e prindërve.

Megjithatë, dhuna nuk është kurrë zgjidhje, as kur vjen nga individë të dhunshëm që përzihen mes protestuesve, as kur vjen nga shteti dhe policia. Si raportues për Shqipërinë, po e shoh me shqetësim të veçantë situatën në Tiranë dhe bëj thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit” thuhet në postimin e tij në X.


Revolta shënon gjashtë ditë sot, tensione, përplasje të dhunshme të të rinjve me forcat policore, qindra shoqërime nëpër komisariate. Shtojmë këtu institucione qeveritare të djegura e shkatërruara, biznese, banka të dëmtuara e gjithashtu thyerje të semaforëve, kamerave të sigurisë, djegie të koshave, shkulje të kangjellave e zjarre në mes të akseve kryesore.

Studentë e gjimnazistë nisën bojkotin mësimor që prej datës 13 tetor duke u grumbulluar përpara Ministrisë së Arsimit për të kërkuar përmirësim të kushteve studentore. Kërkesa kryesore është ajo e dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama, pa asnjë negociatë.

/tvklan.al