Pas vizitës së zhvilluar në Shqipëri, dy bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly, kanë publikuar konkluzionet e misionit të tyre, në kuadër të vizitës së tyre të rregullt monitoruese.

Vizita e tyre erdhi në një kohë kur Partia Demokratike është në protestë dhe ka bojkotuar punimet e parlamentit.

Bashkëraportuesit përsëritën mbështetjen e tyre për lirinë e shprehjes dhe të drejtën e protestës paqësore, por i bënë thirrje politikës që të tregohet e përmbajtur në retorikat e që nxisin dhunë apo angazhimin në akte të dhunshme.

Sipas bashkëraportuesve, bojkoti i parlamentit nuk mund të konsiderohet si strategjia e duhur politike, pasi parlamenti është forumi i përshtatshëm që forcat politike të angazhohen në dialog dhe të përpiqen të gjejnë një mënyrë për të dalë nga situata aktuale.

“Shqipëria ka nevojë për të dyja palët, si mazhorancën ashtu edhe opozitën në procesin e reformave

”, shprehen bashkëreporterët.

“Ndaj, çdolloj bojkoti do të ketë pasoja serioze negative për vendin”

, theksojnë ata më tej.

Bashkërapotuesit shprehen të shqetësuar për rritjen e tensioneve politike në vendin tonë, që sipas tyre po pengon shtysën pozitive të reformave që ata dëshmuan gjatë vizitës në Tetor të 2016 – ës. Ata theksojnë se pritshmëritë e popullit shqiptar për një reformë gjyqësore të plotë dhe gjithëpërfshirëse nuk duhet të frustrohet. Kjo reformë afatgjatë do të ketë ndikim të rëndësishëm për vendin, mbi të gjitha sa i përket pavarësisë dhe efiçencës në sistemin gjyqësor, luftës kundër ndërhyrjes së politikës në sistemin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Vettingu gjyqësor ka një rëndësi të madhe, theksojnë bashkërportuesit, për të krijuar një sistem të pavarur gjyqësor dhe është thelbësore që procesi të vijojë pa pengesa.

“Të gjitha forcat politike duhet të tregohen të përmbajtura për të mos penguar këtë zhvillim të rëndësishëm”,

theksojnë ata.

E në lidhje me këtë çështje, bashkëraportuesit e konsiderojnë esenciale që ligji i Dekriminalizimit të zbatohet. Pastrimi i administratës nga çdo element kriminal është thelbësor përpara zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në Qershor.

Më tej, ata theksojnë se me afrimin e zgjedhje, është me rëndësi të madhe që të gjitha forcat politike të angazhohen në përgatitjen e procesit elektoral, për të siguruar që zjedhjet të zhvillohen në përputhje me Kushtetutën. Disa prej shqetësimeve të ngritura nga opozita janë evidentuar edhe në raporte të mëparshme të bashkëraportuesëve dhe duhet të merren në konsideratë nga të gjitha forcat politike.

Të bindur se një dialog i ri politik është thelbësor në vazhdimin e stabilitetit të institutcioneve demokratike në Shqipëri dhe të efektivitetit dhe qëndrueshmërisë së reformave, bashkëreportuesit shprehin gadishmërinë për të asistuar të gjitha forcat politike, nëse ata dëshirojnë, për të ndihmuar në sigurimin e funksionimit të proceseve demokratike./tvklan.al