Plazhi Ras Hankorab, një vend i pacenuar në bregun e Detit të Kuq me ujëra kristal të pastër dhe rërë të bardhë, është xhevahiri i Parkut Kombëtar Wadi el-Gemal të Egjiptit, shtëpia e një prej ekosistemeve të fundit detare të paprekura të vendit.
Me një bukuri të rrallë ky plazh është cilësuar shpesh si “Laguna e Parajsës” dhe “Maldivet Egjiptiane.” Por, sot plazhi, 90 minuta larg me makinë nga aeroporti ndërkombëtar Marsa Alam është i mbyllur nga një gardh druri dhe aktivistët po luftojnë për të ndalur zhvillimin e tij, për shkak të një projekti që po vihet në zbatim dhe që konsiston në ndërtimin e një kompleksi të madh hotelesh luksoze.
Grupet mjedisore paralajmërojnë se ky ekosistem i pasur me shumë gjallesa është i kërcënuar dhe vendasit kanë frikë se do të humbasin përgjithmonë një burim të çmuar natyror.
Për të luftuar krizën ekonomike, Egjipti u ka dhënë shumë kompanive private të drejtën për të investuar në parqet e tij kombëtare me shpresën për të rritur të ardhurat. Projektet ndryshojnë në madhësi dhe shtrirje. Me 17 milionë vizitorë në vitin 2024, Egjipti ka një potencial real për të rritur numrin e turistëve të rinj me më shumë investime në infrastrukture, të fokusuara në bregdet dhe shkretëtirë.
Por, ambientalistët dhe komunitetet lokale paralajmërojnë se edhe ndërtimet në plazh do të shkatërronin një nga vendet e fundit të paprekura të Egjiptit. Asmaa Ali, drejtoreshë ekzekutive e Ecoris, një grup egjiptian i zhvillimit të qëndrueshëm dhe ruajtjes, tha se parku kombëtar dhe plazhi janë një nga pikat më të rëndësishme në botë për biodiversitetin.
“Në Hankorab, e cila është pjesë e Rezervatit Natyror Wadi El Gemal, puna për zhvillimin e kësaj zone nisi papritur. Kjo është shumë shqetësuese sepse Hankorab është i mbrojtur me ligj, kështu që çdo gjë që ndodh atje do të përbënte një kërcënim për biodiversitetin në zonën e Wadi El Gemal. Është shumë shqetësuese kur morëm imazhet që tregojnë se si po shkatërrohet toka”, tha Asmaa Ali.
Për Asma Ali kjo zonë është me rëndësi për shkak të vlerave natyrore edhe në botë.
“Kjo zonë është e rëndësishme sepse renditet globalisht si një nga pikat më të rëndësishme të biodiversitetit, duke përfshirë specie pothuajse të zhdukura, duke përfshirë ato detare. Ka disa nga shkëmbinjtë koralorë më të çmuar dhe të rrallë. Ka gjithashtu breshka deti në rrezik zhdukjeje, ka pemë rizofore”, shtoi ai.
Shoqata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit të Hurghadës (HEPCA), vëren se ky vend është kaq i rëndësishëm sepse është një nga më pak të prekurit në botë ndaj ndryshimeve klimatike dhe ka potencialin të ripopullojë shkëmbinj nënujorë disa prej të cilëve edhe rrezikojnë zhdukjen.
“Katastrofa është se ka projekte investimi të planifikuara aktualisht për ndërtimin e një hoteli. Kjo padyshim do të ndikojë në jetën e egër detare , natyrën e plazhit që ndoshta nuk ka të krahasuar në asnjë vend në botë”, tha aktivisti Ahmed El-Seidi.
Gjatë dekadës së fundit, ndryshimet në ligj kanë lejuar që pikat brenda parqeve kombëtare të Egjiptit të përdoren për projekte tregtare. Ministrja e Mjedisit Yasmine Fouad thotë se projektet brenda zonave të mbrojtura, përfshirë parqet kombëtare, u rritën nga 10 në 2016, në 150 në 2024.





“Kjo është krejtësisht e paligjshme, sepse ka një nen në kushtetutë që përcakton se shteti është i detyruar të mbrojë burimet e tij natyrore dhe të mbrojë të drejtat e brezave të ardhshëm në këto burime. Supozohet se qeveria duhet të punojë drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe kuptimi im për zhvillimin e qëndrueshëm është se ai synon të kujdeset për mjedisin, të mbrojë mjedisin, jo vetëm të fokusohet tek ekonomia dhe paratë”, shtoi më tej aktivisti.
Ministria ka sqaruar se plani është në harmoni me natyrën. Megjithatë, kjo deklaratë është në kontrast të fortë me ndërtimet të paligjshme në zonë dhe aktivitete tregtare të paautorizuara, duke çuar në konfuzion të gjerë dhe duke ngritur pikëpyetje për mbikëqyrjen e këtyre projekteve.
Plazhi Hankorab nuk është vetëm një perlë mjedisore; është gjithashtu një aset i rëndësishëm ekonomik. Ekoturizmi në Hankorab mbështet jetesën lokale, gjeneron të ardhura kritike dhe rrit imazhin ndërkombëtar të Egjiptit si një destinacion kryesor turistik i qëndrueshëm.
Autoritetet në Egjipt përballen me nëj zgjedhje të vështirë të mbrojnë këtë pasuri të pazëvendësueshme natyrore ose të rrezikojnë ta humbasë atë përgjithmonë. Ruajtja e Hankorabit është më shumë sesa ruajtja e bukurisë natyrore; ka të bëjë me mbrojtjen e planetit tonë, mbështetjen e komuniteteve lokale dhe sigurimin që brezat e ardhshëm të mund të përjetojnë magjinë e parajsës së fshehur të Egjiptit
Vlen të theksohet se turizmi është një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë së Egjiptit . Një raport i fundit i OKB-së për Turizmin bën me dije se të ardhurat vjetore nga turizmi në vitin 2024 shkuan në 14.1 miliardë dollarë.
Klan News