Nëpërmjet një reagimi për mediat, Prokuroria e Tiranës ka njoftuar se ka nisur hetimet ndaj sanitares Tire Alldervishi për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” të parashikuar nga nenet 143/2 te Kodit Penal.

Gjithashtu Prokuroria bën të ditur se do të hetojë nëse kemi të bëjmë me një rast sporadik apo një skeme të mirëfilltë përfitimi nga personeli mjekësor apo ndihmës në kurriz të të sëmurëve me sëmundjen Covid-19.

Alldervishi është sanitarja që u denoncua në emisionin “Stop” mbrëmjen e së martës (12 Janar) pasi ishte paraqitur si infermiere dhe kishte marrë 8 milionë Lekë për t’i kryer shërbime një pacienteje të infektuar me Covid, por kjo e fundit ndërroi jetë.

Vajza e pacientes tregoi se kur kishte çuar të ëmën në spitalin Covid 2 i ishte paraqitur si infermiere Tire Alldervishi. Por më vonë u zbulua se ajo ishte thjesht një sanitare.

Alldervishi i ka kërkuar një shumë parash vajzës për t’i bërë shërbim nënës së saj. Gjithashtu ajo ka kërkuar para edhe për pjesën tjetër të punonjësve, doktoreshën, infermierët dhe sanitarët që t’i ndërronin pampersat të ëmës.

“Shtetasja Eltjana Sinanaj, e cila ka bërë kallëzim penal ndaj shtetases Tire Alldervishi e datëlindjes 15.03.1962 pasi sipas saj, i ka marrë disa shuma parash të konsiderueshme për t’i shërbyer mamasë së kallëzueses e cila ishte e shtruar në spital me Covid-19, duke ju prezantuar si infermiere ndërkohë që ishte sanitare e spitalit. Gjithashtu në emisionin “Stop” të datës 12.01.2021 janë transmetuar pamjet për ngjarjen e ndodhur. Në datën 28.11.2020 mamaja e kallëzueses është shtruar tek spitali universitar “Shefqet Ndroqi” pasi ka rezultuar pozitive me COVID 19 dhe ka ndërruar jetë po në këtë spital me datë 25.12.2020. Në derë i është paraqitur një shtetase e veshur si infermiere dhe i ka thënë që është infermiere në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Kjo shtetase ishte Tire Alldervishi dhe që më vonë ka marrë vesh se punonte si sanitare në këtë spital. Që në momentin e parë i ka kërkuar një shumë lekësh prej 2000 lekësh që t’i jepte telefonin mamit, duke i thënë që po e bënte për atë edhe pse nuk e kishte parë asnjëherë më përpara. Më pas i thotë që ta presë në lokal. Kur vjen në lokal i ka thënë, meqenëse infermierët e tjerë nuk lejohen të vijnë në lokal, e ka marrë ajo përsipër duke i kërkuar shumën e lekëve e cila ishte 10 000 për doktoreshën dhe 5000 për infermierët dhe sanitarët që i hiqnin pampersin. Kjo shumë vazhdonte çdo ditë dhe kanë qenë ditë të pakta që kallëzuesja ka dhënë vetëm 3000 lekë për infermierët dhe 5000 për doktoreshën dhe përpos tyre i jepte listën e ilaçeve që duhet të merrte nga jashtë. Kallëzuesja nuk e dinte a po ja jepnin ilaçet apo jo sepse mami i saj i kishte thënë me mesazhe që nuk i japin asgjë nga ato që i sillnin ata”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Në emisionin “Stop” u bënë publike komunikimet ndërmjet Tire Alldervishis dhe denoncueses. Gjithashtu u bënë publike edhe bisedat e fundit të së ndjerës me vajzën e saj.

Ajo ankohej për shërbimin, ndërsa në një moment shprehej se i kishin mohuar edhe ushqimin pasi sanitarja e kishte bezdi që t’i ndërronte pampersat. Sanitarja Tire Alldervishi është arrestuar ditën e sotme, ndërsa Prokuroria thotë se ka depozituar kërkesën për vleftësimin e ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë arrest me burg./tvklan.al