Gjykata Penale e Shkupit e shpalli të pafajshëm, ish-shefin e Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, i akuzuar i parë në rastin “Tortura”, që ka të bëjë me arrestimin brutal të liderit të “Maqedonisë së Bashkuar”, Lube Boshkovski.

Në bankën e të akuzuarit, në 50-të seancat e kaluara kanë qëndruar Mijalkov, bashkë me gjashtë përfaaqësues të tanimë ish-njësitit policor “Alfa”, për shkak të mënyrës se si është zbatuar arrestimi i Boshkovskit përpara restorantit “Vodenica” në Shkup. Gjykatësja Aleksandra Risteska bashkë me Këshillin Penal, përvec Mijallkovit, sot i liruan nga akuza edhe ish-shefin e Alfave, Ivica Ançevski – Puki dhe pjesëtarët tjerë: Novica Stankovski, Petar Milloshevski, Filip Atanasov, Jovan Bocevski dhe Metush Shabani. Gjykatësja tha se prokurori Lubomir Llape nuk ka dëshmuar se të akuzuarit janë fajtorë për veprën “torturë dhe trajtim mizor ose çnjerëzor dhe degradues”.

“Në bazë të dyshimit për ekzistimin ose jo të fakteve që e shënojnë veprën penale dhe prej të cilave varet marrja e secilit vendim nga ana e Kodit Penal, gjykata do të vendosë në favor të të akuzuarve. Prandaj, gjykata, të akuzuarit, Sasho Mijallkov, Ivica Ancevski, Jovica Stankovski, Filip Atanasov, Petar Milloshevski, Jovan Gocevski dhe Metush Shabani i liron nga akuza pasi prokurori publik nuk dëshmoi dyshimet se të akuzuarit e kanë kryer veprën për të cilën ngarkohen”.

Rasti gjyqësor “Tortura” është hapur më 23 qershor të vitit 2016. “Tortura” ka të bëjë me arrestimin e kryetarit e partisë, “Të Bashkuar për Maqedoninë”, Lube Boshkovski, gjerësisht për mënyrën e arrestimit të tij, që sipas Prokurorisë Speciale, ish-drejtori i DSK-së, Mijallkov, ka urdhëruar njësitin special “Alfa” që gjatë aktit të arrestimit të përdorë dhunë fizike dhe psiqike. Sipas Prokurorisë, përfaqësuesit e njësitit special “Alfa” gjatë arrestimit, Boshkovskin e kanë sharë dhe i kanë shkaktuar dhimbje shpirtërore.

Klan Macedonia