PS nis negociatat me grupet e vogla, PD refuzon ftesën

48 orë përpara se të skadojë afati parlamentar për dorëzimin e kandidatëve për president që do të votohen në raundin e parë, shumica është riulur në tryezë në takime të veçanta me përfaqësuesit e 2 nga 3 grupet parlamentare opozitare.

Si Fatmir Mediu, ashtu dhe Shpëtim Idrizi mendojnë se tani është momenti për të shkuar tek propozimet konkrete.

Por që të dy grupet, në ndryshim nga socialistët mendojnë që nuk duhet të përjashtohen nga kandidimi figurat që vijnë nga politika aktive.

Mediu këmbëngul që përpara se të riulen në takimin e radhës, opozita të jetë dakordësuar mes vetes.

Por kjo ende duket e vështirë pasi Enkelejd Alibeaj nuk ju përgjigj ftesës së socialistëve për t’u ulur këtë të premte, por përmes një letre kërkoi të përcaktohen modalitetet e procesit. Mesa duket nga meraku i paragjykimit pasi nuk e ka mandatin e partisë së tij për të negociuar, Alibeaj kërkon që takimet të jenë në sytë e publikut.

Ndërkohë që socialistët i kujtojnë se pavarësisht gadishmërisë që kanë për të zgjedhur një president konsensual, koha po shtrëngon dhe procedurat kushtetuese kanë afate që nuk mund të shkelen.

Nisur nga takimet e kësaj të premteje duket se raundi i parë do te ezurohet pa një kandidat. Votimi është pasditen e të hënës, ndërsa deri pasditen e kësaj të diele duhet të jenë protokolluar emrat e kandidatëve që mbështeten me 20 firma deputetësh.

Tv Klan