Vizita e së enjtes e Presidentit rus Vladimir Putin në Beograd është parë në këndvështrime të ndryshme nga krerët e shtetit kosovar e politikanët vendas.

Për kryeparlamentarin Kadri Veseli, mesazhi i Putinit për Kosovën është një sinjal pozitiv se Rusia po shkon drejt njohjes së Pavarësisë së Kosovës.

“Merreni si një sinjal pozitiv. Vizita e Putinit në Serbi dhe takimi me Presidentin e Kosovës Hashtim Thaçi, vini re këto fakte, janë po të njëjtat mesazhe të cilat i janë thënë edhe Presidentit tonë dhe që u thanë edhe në Serbi. Kjo do të thotë se Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Republikës së Kosovës”.

Kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh kritik me deklaratat e Putinit për mediat serbe, se politika amerikane po destabilizonte Ballkanin. Haradinaj kujton se shtimi i pranisë ushtarake amerikane dhe asaj të NATO-s në rajon ka shuar konfliktet e armatosura dhe ka sjellë me shumë paqe dhe stabilitet.

Ndërsa kreu i socialdemokratëve, Shpend Ahmeti, njëherësh kryetar i komunës së Prishtinës, thotë se pritja që iu rezervua Putinit në Beograd tregon se atje ende glorifikohen regjimet autoritare. Sipas tij, Bashkimi Europian shihet nga serbët si mundësi për të thithur investime dhe zhvillim ekonomik dhe jo si një union vlerash demokratike, ku rëndësi kryesore i kushtohet të drejtave të njeriut.

Tv Klan