Franca dhe Gjermania shihen si mundësi për të qenë lokomotiva e zgjidhjes së problemeve në Ballkan. Ftesa nga Berlini ka nxitur reagime në Serbi pasi Kosova ende nuk i ka hequr taksën për mallrat serbe, e që konsiderohet kusht për vazhdimin e dialogut. Presidenti serb u kritikua pjesërisht për pranimin e ftesës, ndërsa në Serbi u tha se kërkesa e vetme do të jetë njohja e Pavarësisë së Kosovës.

Stefan Surlliç, ligjerues në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit, thotë se Vuçiç ka njoftuar opinionin se është hequr dorë nga përkufizimi, por Serbia nuk do të bëjë veprime pa u bërë lëshime në llogari të saj.

“Merkel-Macron duan të tregojnë para zgjedhjeve se nuk bëjnë pazare me çështjen e Ballkanit Perëndimor dhe anëtarësimin e tyre në BE. Porosia e dytë është që Ballkani dhe sidomos Kosova janë çështje europiane. Lojtarët e tjerë të rëndësishëm mund të shfaqen në fund, por janë Berlini e Parisi që do të krijojnë kornizën e bisedimeve dhe në fund modelin e marrëveshjes Beograd-Prishtinë”.

Serbia thotë se shumica e qytetarëve duan një konflikt të ngrirë me Kosovës. Por zyrtarët, e sidomos Presidenti, duan një marrëveshje.

Millan Antonijeviç, drejtor i Fonadacionit për Shoqëri të Hapur, thotë se ideja është të promovohet edhe zgjerimi. Përveç një shtytje ekonomike për të gjitha vendet, Berlini dhe Parisi duan të tregojnë se është koha për çështje konkrete.

“Procesi që është i bllokuar ka nevojë për një energji të re. Nëse kjo ndodh disa procese mund të zhbllokohen dhe shumë shpejt mund të shohim qëndrime më të përafërta edhe të Beogradit edhe të Prishtinës. Nisma e Francës është për të nxitur bashkëpunimin rajonal. Në anën tjetër kemi Berlinin që ka një qëndrim të fuqishëm që nuk ka ndryshuar shumë në kohë”.

Presidenti Vuçiç tha se presionet do të shtohen për njohjen e Pavarësisë së plotë të Kosovës pa ndryshim të asnjë gjëje. Serbia e pret mundësinë e zhbllokimit të dialogut në mes të paralajmërimit të masave të mundshme kundër Kosovës dhe idesë për një zgjidhje me kompromis.

Tv Klan