Grenell mohon lajmet për një marrëveshje të shpejtë

Takimi ndërmjet Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiç ka zgjuar reagime duke aluduar për një përpjekje të SHBA-së për një marrëveshje të shpejtë Prishtinë-Beograd.

Por ka reaguar i dërguari special i Presidentit Trump për dialogun, Richard Grenell i cili i ka mohuar aludimet.

Grenell e ka  quajtur të pasaktë një vlerësim të dhënë nga njohësi i rrjedhave në Kosovë, Tim Judah, i cili foli per ngutje.

“Gabim. Nuk je duke e ditur se për çfarë po flet. Askush nuk po mundohet të veprojë me ngutje dhe nuk ka marrëveshje madhore. Je duke shpikur gjëra”, shkruan Grenell në Twitter.

Mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington është zhvilluar takimi Thaci- Vuciç me ndërmjetësimin e Grenell, ku i pranishëm ishte edhe këshilltari për siguri kombëtare Rober O’brien.

Me të ardhur në Kosovë, Presidenti ka kërkuar seancë të Kuvendit të Kosovës për t’i njoftuar deputetët për vizitën e tij në SHBA.

Për Kryeministrin Kurti, përpjekja e Presidentit për të raportuar në Kuvend është e vonë.

Kryeministri e akuzoi ndërkohe Serbinë se po vazhdon fushatën kundër njohjes së Kosovës, duke ia faturuar asaj edhe tërheqjen e njohjes nga Sierra Leone.

“Ne po përpiqemi të bëjmë një veprim të vullnetit të mirë për të larguar tarifën 100% në lëndën e parë ndaj Serbisë, por qartazi po shihet se Serbia po bën një intensifikim të punës për ç’njohje të Kosovës”.

Ministria e Jashtme e Kosovës ende nuk e ka konfirmimin zyrtar nga Sierra Leone se e ka tërhequr njohjen e Kosovës.

Kryeministri ka paralajmëruar heqjen e pjesshme të tarifës ndaj produkteve serbe nga data 15 Mars dhe heqjen e tërësishme të saj nga data 1 Prill duke kërkuar nga Serbia ndalimin e fushatës për ç’njohje të Kosovës dhe heqjen graduale të barrierave tregtare me Kosovën. 

Tv Klan