Osmani: Kuvendi dhe Këshilli i Prokurorëve të gjejnë kompromis

Zv/Kryeministri Bujar Osmani ka kërkuar hetim të shpejtë dhe efikas për rastin “Zhvatja”, por që ky rast të mos keqpërdoret për qëllime ditore të politikës, për shkak se sic tha, kjo mund ta cenojë pozicionin e vendit tek partnerët ndërkombëtar.

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani, u bëri thirrje të gjitha kampeve politike që të përpiqen të gjejnë kompromis rreth ligjit për Prokurorinë Publike, sepse sipas tij, në kushte krize vetëm kompromisi është terapia e duhur. Ai nuk u përgjigj konkretisht se a do të përkrahte BDI ndonjë emër nga prokurorët aktual që janë në Speciale për ta zëvendësuar Janevën, por rikujtoi institucionet se reagimi ndaj situatës së krijuar do të jetë shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe do ta përcaktoj kahjen e mëtutjeshme të vendit.

Bujar Osmani, zëvendëskryeministër: Këshilli i Prokurorëve dhe Parlamenti, duhet të gjejnë mundësi për të gjetur një zgjidhje edhe për të mbushur zbrazëtirën institucionale që është krijuar me rastin e fundin, por ajo çka është edhe më e rëndësishme, për të miratuar ligjin për prokurori, i cili në një mënyrë të përhershme dhe të qëndrueshme do të zgjidh çështjen e Prokurorisë publike por edhe atë të Prokurorisë Speciale.

Edhe nga VMRO DPMNE thonë që nuk është koha që të flitet për zëvendësen e Janevës. Ata duan të presin epilogun nga grupet e punës për Ligjin për Prokurori Publike, por nga përgjigja e Arsovskit, nënkuptohet se VMRO DPMNE nuk do të pranonte që specialen të vazhdojë ta udhëheq ndonjëri nga Prokurorët aktual.

Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO DPMNE-së: Të hetohet në mënyrë të saktë se kush ka qenë në skemën e zhvatjes. Kjo është prioriteti, që të hetohet përzierja e prokurorëve të speciales dhe të politikanëve, menjëherë pasi të përfundon hetimi mund të flasim për pasardhës. Por ligji është i qartë se kush mund të jetë pasardhës. Nuk duhet të harrohet se ekziston grup i punës ku diskutohet për ligj të ri për Prokurori Publike.

Sipas informatave të fundit nga burimet partiake, pas një pauze disa javore, grupet e punës sërish do të takohen nesër. Disa ditë më parë, Aleanca për Shqiptarët propozoi që prokurori që do ta udhëheq sektorin e ri për ndjekje të Korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar të jetë i huaj, e Alternative e propozoi Fatime Fetain.

Tv Klan