Shkarkimi i drejtorit të FBI-së James Comey ka shkaktuar reagime të forta në Uashington. Shumë nga ata që e kanë kritikuar shkarkimin kanë vënë në pikëpyetje motivet e presidentit, duke ngritur tezën se kjo masë mund të ketë lidhje me hetimet mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Tani anëtarë të Kongresit dhe analistë të pavarur në Uashington po pyesin si do të evolojë ky proces hetimor pas largimit të zotit Comey.

Reagimet e forta jo vetëm nga demokratë, por edhe anëtarë të partisë së tij, e kanë vënë Presidentin Trump në pozitë mbrojtëse. Sot në një numër postimesh në Twitter, ai i doli në mbrojtje vendimit për ta pushuar zotin Comey duke thënë se pasi të qetësohen gjakrat “njerëzit do ta falenderojnë për këtë veprim”.

Presidenti iu kundërpërgjigj kritikave të demokratëve, duke thënë në një postim në Twitter se ata vetë “kanë thënë gjëra nga më të këqiat për James Comey-n, përfshirë edhe nevojën që ai të pushohet nga detyra, por tani bëjnë sikur janë mërzitur”.

James Comey u bë objekt kritikash të forta nga demokratët kur rihapi hetimet mbi kandidaten Hillary Clinton, pak ditë para zgjedhjeve. Shumë demokratë kërkuan largimin e tij, pasi kishte shkelur rregullën e neutralitetit të FBI-së në periudhë zgjedhjesh që të mos ndikohet opinioni publik.

Por nuk është vetë shkarkimi i zotit Comey që ka ngritur pikëpyetje, aq sa momenti i zgjedhur për këtë vendim:

“Mendoj se në politikë thuajse gjithmonë momenti i vendimit ka rëndësi. Pyetja është përse u zgjodh ky moment? Konteksti me Rusinë mund të ketë qenë faktor; ndoshta pas dëshmisë së zotit Comey, presidenti mendoi se ishte politikisht e përshtatshme,”

thotë profesori i drejtësisë Sam Erman.

Spekulimet mbi motivet përqëndrohen tek pyetja: sa thellë kanë shkuar hetimet, çfarë po rezulton prej tyre dhe si reflektojnë këto hetime tek administrata Trump?

“Nuk është diçka e zakontë të pushosh nga puna dikë që është në mes të hetimeve, qoftë edhe nëse hetimet nuk janë të fokusuara tek vetë presidenti, por tek njerëz të afërt me të”, thotë profesori Erman.

Rrjeti televiziv CNN njoftoi mbrëmë se prokurorët federalë kanë thirrur për t’u paraqitur para jurisë së madhe ish-këshilltarin e presidentit për sigurinë kombëtare, Michael Flynn. Atij i kërkohet të paraqesë dokumente financiare për të analizuar çfarë lidhjesh kishte ai me zyrtarë rusë në kuadër të hetimeve mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale.

Drejtorët e FBI-së emërohen për një mandat 10-vjeçar në detyrë dhe shërbejnë nën disa presidentë, pra ky rol shihet si një post mbi përkatësitë partiake. Për këtë arsye, pushimi i zotit Comey i cili ende nuk ka mbushur katër vjet në detyrë, momenti kur u bë shkarkimi, gjuha e përdorur në letrën e presidentit dhe pikëpyetjet mbi hetimet për ndërhyrjet ruse kanë zgjuar shumë mëdyshje në Uashington.

Vendimi i Presidentit Trump ka lënë të shtangur edhe shumë republikanë. Senatori Jeff Flake u shpreh përmes një postimi në Twitter: “për orë të tëra po përpiqem të gjej një argument të arsyeshëm për shkarkimin e Comeyt, por nuk kam gjetur gjë”.

Demokratët në Kongres kanë kërkuar emërimin e një prokurori të posaçëm për të vazhduar hetimet mbi kontaktet që mund të ketë pasur vjet Rusia me individë të afërt me fushatën e zotit Trump. Këtyre thirrjeve u janë bashkuar edhe disa republikanë.

Ligjvënësi Justin Amash tha përmes një postimi në Twitter se po analizon kornizën ligjore “për të ngritur një komision të pavarur mbi Rusinë”./ tvklan.al

Burimi: REL