Liderët botërorë kanë shprehur ngushëllimet, për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Vdekja e tij ka tronditur mbarë botën, prandaj dhe reagimet e liderëve botërorë kanë qenë të shumta dhe mjaft të ndjera.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.

“Sot bota mban zi për vdekjes e Papa Françeskut. Ai frymëzoi miliona njerëz, përtej Kishës Katolike, me përulësinë dhe dashurinë kaq të pastër. Ngushëllimet e mia janë me të gjithë ata që e ndjenë këtë humbje kaq të thellë. Le të gjejmë ngushëllim në idenë se trashëgimia e Papa Françeskut do të vazhdojë të na udhëheqë të gjithëve drejt një bote më të drejtë, paqësore dhe më të dhembshur”, ka shkruar Ursula von der Leyen në llogarinë e saj në “X”.

Një reagim pati dhe nga Shtëpia e Bardhë e SHBA.

“U prefsh në paqe Papa Françesku”, ka shkruar në “X”, Shtëpia e Bardhë.

Ngushëllime për vdekjen e Papa Françeskut në moshën 88-vjeçare shprehu dhe kryeministri i Holandës, Dick Schoof. Në reagimin e tij Schoof thotë se Papa ishte një njeri i popullit.

“Komuniteti katolik në mbarë globin i jep lamtumirën një udhëheqësi, që njohu çështjet e ndezura të ditëve tona dhe tërhoqi vëmendjen ndaj tyre. Me mënyrën e tij të matur, veprimet në shërbim të njerëzimit dhe dhembshurinë, Papa Françesku ishte një model për shumë njerëz katolikë dhe jo vetëm”, ka shkruar Schoof në “X”.

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni tha se lajmi për vdekjen e Papa Françeskut ishte një lajm shumë i trishtë, pasi po i jepet lamtumira një njeriu të madh.

“Na trishton thellësisht, pasi po i themi lamtumirën një njeriu të madh. Kam pasur privilegjin që të shijoj miqësinë, këshillat dhe mësimet e tij, të cilat nuk më kanë dështuar kurrë. Por, ne e dimë që tani ai është në shtëpinë e Zotit”, tha Meloni.

Ministri i Jashtëm i Irlandës, Simon Harris tha se mësimet e Papa Françeskut do të vazhdojnë që t’i shërbejnë botës, edhe pas ndarjes së tij nga jeta.

“Papa Françesku e duroi sëmundjen e tij me dinjitet dhe guxim të madh. Ndërsa shumë njerëz në Irlandë dhe të krishterë në mbarë botën vajtojnë humbjen e tij. Ne gjejmë forcë në mesazhet e tij të shpresës, mëshirës dhe dhembshurisë që do të vazhdojnë që të na frymëzojnë për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë”, ka shkruar Simon Harris.

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog tha se Papa Françesku nxiti lidhje të forta me hebrenjtë dhe avancoi dialogun ndërfetar.

“Unë me të vërtet shpresoj që lutjet e tij për paqen për Lindjen e Mesme dhe për kthimin e sigurt të pengjeve do të marrin përgjigje së shpejti”, shkroi ai duke iu referuar thirrjeve të përsëritura të Papës për t’i dhënë fund luftës dhe lirimin e robërve të mbajtur nga Hamasi në Rripin e Gazës.

Papa Françesku ose Jorge Mario Begoglio lindi më 17 Dhjetor të vitit 1936 në Buenos Aires të Argjentinës. Ai u shua mëngjesin e sotëm, më 21 Prill 2025, në moshën 88 vjeçare si Papa i 226-të i Kishës Katolike Romake./tvklan.al