Me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti.

Me votimin e këtij mocioni, Qeveria Kurti mbetet në detyrë, si qeveri në dorëheqje, ndërkohë që fillojnë procedurat për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti u iniciua nga partnerja e koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti u zgjodh më 3 shkurt të këtij viti, pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas votimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se partia e tij mbetet e hapur që Vetëvendosje të jetë pjesë e një koalicioni qeverisës, siç u shpreh ai “me bazë më të gjerë”.

“Ne mbesim të hapur dhe nëse nuk e bënë Vetëvendosje vetë qeverinë, ne mbesim të hapur që prapë ta bisedojmë me Vetëvendosjen në mënyrë që ta bëjmë një koalicion më një bazë më të gjerë të themi ku është edhe LVV-në, ku është AAK-ja, ku është edhe Nisma. Por, natyrisht që ne nuk mund të imponojmë, por duhet të jemi të hapur, sepse unë mendoj që vendit i duhet një qeveri me bazë më të gjerë sepse kemi të bëjmë më dialogun edhe me vendime që do të jenë me rendësi historike për Kosovë në të ardhmen”, tha Isa Mustafa në një bisedë për T7.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se beson që së shpejti do të konstituohen institucionet e reja të Kosovës, që sipas tij, të mos ketë boshllëk qeverisës.

“Sot, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me 82 vota përkrahën mocionin e votëbesimit. Ky është një vërtetim se Kushtetuta dhe Kuvendi në Kosovë funksionojnë, dhe se shteti i Kosovës rreshtohet me vlerat më sublime të demokracisë. Kam besim të plotë që institucionet e Republikës do të konstituohen shpejtë dhe se nuk do të ketë boshllëk qeverisës”, shkruajti ai në një postim në rrjetet sociale./REL