Përfundimi i ndeshjes Kastrioti – Tirana shkaktoi tension dhe përplasje në fushë. Trajneri i bardhebluve Ardian Mema u përplas me forcat e sigurisë kur po i kërkonte sqarime gjyqtarit Olsi Sokoli. Situata në Fushë-Krujë u ndez, pasi nervozizmi u transferua në hyrjen e dhomave të zhveshjes. Shefi i Sektorit të garave në federatën Shqiptare të Futbollit, Lysien Nurishmi tha se reagimi i forcave të sigurisë ishte për të shmangur çdo incident.

Lysien Nurishmi, shef i Sektorit të Garave në FSHF :

Trajneri i Tiranës ishte përjashtuar nga arbitri. Ajo ndeshje ishte edhe një test për praninë e policisë në ambientet e stadiumit. Forcat e sigurisë ndërhynë për të shmangur ndonjë skenar të ngjashëm me atë të Kamzës.

Stadiumit “Redi Maloku” iu hoq para disa kohësh leja për të zhvilluar ndeshje të Superligës, por ankimimi i klubit Kastrioti ka përmbysur gjithçka.

Lysien Nurishmi, shef i Sektorit të Garave në FSHF :

Stadiumi “Redi Maloku” është licensuar nga Komisioni i Apelit dhe plotëson kushtet minimale.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka tha se ndërhyrja e forcave të sigurisë ishte një reagim ndaj ngjarjeve të mëparshme.

Armand Duka, President i FSHF-së:

Nuk e paragjykoj Ardin, por ishte ndëshkuar me të kuq. rregullorja nuk e lejon të jetë në fushë. Ne një herë themi pse  nuk ndërhyri policia, një herë themi pse ndërhyri. Duhet të kemi një standard.

Armand Duka konfirmoi se ka patur takime edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për çështjen e sigurisë në stadiume.

Tv Klan