Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi në rrjetet sociale pas shtimit të rasteve me koronavirus në vendin tonë.

Kreu i demokratëve thotë se ia ka ngritur disa herë kryeministrit Edi Rama çështjen e testimeve, mbrojtjen e personelit mjekësor, mbylljen e fasonerive dhe call center-ave që rrezikonin infektimin masiv, por ai nuk bëri asgjë.

Sipas Bashës, Rama e pati mendjen vetëm tek shfaqjet në ekranin e televizorit dhe tek tenderat sekretë.

“Nëse Rama do të kishte bërë testime si në çdo vend tjetër, ne do ta dinim ku dhe si po përhapet koronavirusi.  E kam ngritur këtë çështje me qindra herë, javë pas jave duke nënvizuar se testimi është element shumë i rëndësishëm edhe për strategjinë e daljes. I kërkova të mbrojë mjekët dhe personelin në spitalet e qendrat shendetësore, të mbyllë fasoneritë dhe call centers si vatrat më të mëdha që rrezikonin infektimin masiv, siç dhe ndodhi. Po ai nuk bëri asgjë. Propozuam edhe planin për një dalje sa më të lehtë për njerëzit nga karantina, pa rrezikuar shëndetin e tyre dhe duke mbështetur njerëzit në nevojë dhe ekonominë. Sepse shëndeti i qytetareve dhe ekonomia janë prioriteti absolut. Por Rama e kishte mendjen tjetërkund: te shfaqjet dhe zdërhalljet me orë para ekranit si narcisti para pasqyrës, tek tenderat sekretë me miliona euro vjedhje në kohë pandemie, te pagesat nga taksat e shqiptarëve për inceneratorët dhe landfillet e Bandës së Lushnjës dhe jo të siguronte testimet e duhura apo të mbështeste qytetarët në vështirësi dhe ekonominë në krizë të thellë”, shkruan Basha.

Lulzim Basha thotë ndër të tjera se shqiptarët e kanë kuptuar se kërcënimi më i madh për ta dhe shëndetin e tyre është “Ramavirusi”.

“Ai është e keqja e vendit”, përfundon reagimi i kryedemokratit.

Ndërkohë më herët gjatë një videomesazzhi, kryeministri Edi Rama tha se vendi mund të rimbyllet nëse vazhdohet me rritjen e rasteve dhe me mosrespektimin e masave nga ana e qytetarëve dhe bizneseve./tvklan.al