Pas akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me videon e publikuar në media se aty shfaqej duke konsumuar kokainë kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, erdhi edhe reagimi i këtij të fundit.

Në një deklaratë postuar në rrjetet sociale, kryetari i Bashkisë së Bulqizës thotë se videoja është montazh. Madje sipas Allës, pamjet e publikuara sot, janë seria e radhës e “Babales”.

“Montazhi që po shfaqin sot është seria e radhës e telenovelës “Babale”, që si për turp shfaqet në TV me Ervin Salianjin, të njëjtin njeri që sajoi “Babalen” e që sot është dënuar me burg për mashtrimin e vet në atë telenovelë e do të përballet me gjykatën edhe për këtë rast”, thotë Alla.

Ai shprehet se opozitës nuk ka për t’i ecur shantazhi. Alla thotë se në detyrë është për qytetarët dhe jo për të mbushur xhepat e klientëve të PD-së.

“Unë nuk jam në detyrë për të kënaqur orekset e mbushur xhepat e klientëve të PD që për vite me radhë e kthyen Bulqizën në një parajsë për grabitje e ferr për qytetarët. Jam këtu për të punuar për qytetarët e thjeshtë dhe jam krenar që një nga punët më të mira që kam bërë ka qenë largimi i asaj tufe grabitësish që sot montojnë video në SHQUP”, shprehet Alla. /tvklan.al