Kryeministri Edi Rama shpreh trishtim për pamjet e ofruara nga protesta e opozitës këtë të shtunë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në një postim në rrjete sociale, Kryeministri thotë se pamje të tilla i bëjnë vetëm dëm Shqipërisë.

“Çfarë trishtimi, një lider opozite që me zë të ikur i thotë qeverisë “Aman ik!”, ndërkohë që ata rrotull tij hedhin zjarr mbi godinën e saj! Uroj që kujt vete ende pas kësaj politike qorre, t’i jetë hapur sonte syri nga zjarri që qeverisë s’ka ç’i bën, po Shqipërisë i bën veç dëm”,

thotë ai në një postim në Twitter

.

Protestuesit hodhën molotov në dyert e Kryeministrisë, duke bërë që hyrja e godinës të përfshihej nga flakët, ndërsa në mënyrë të vazhdueshme ata hedhin tymuese, flakadanë e sende të forta. Nga ana e saj policia hodhi gaz lotjellës për të zbrapsur protestuesit, të cilët çanë kordonin. Policia u bën thirrje vazhdimisht protestuesve dhe organizatorëve të shmangin aktet e dhunës.

Kjo është protesta e 4 kombëtare e opozitës, organizatorët e së cilës kishin vetëm 2 orë leje për zhvillimin e saj. Ndonëse afati mbaroi në orën 20:30, protestuesit vijojnë të qëndrojnë bulevard./tvklan.al