Kryetarja e Gjykatës së Elbasanit Enkeleda Kapedani , për të cilën ILD njoftoi mëngjesin e kësaj të hëne nisjen e një hetimi disiplinor, ka reaguar pasi videot e saj të publikuara në rrjetet sociale, u bënë virale.

Ajo thotë se nuk ndihet krenare për videot dhe thotë se ato janë publikuar për të dëmtuar imazhin e saj. Kapedani shprehet në reagim se do të presë me qetësi verifikimin e situatës.

“Qëndrimi im në lidhje me shpërndarjen e disa vidiove nëpër media. Si gjyqtare në radhë të parë dhe si nënkryetare e Gjykatës ndjehem keq nga publikimi i këtyre videove vetëm për të më dëmtuar imazhin. Unë si gjyqtare e kam të ndaluar të komentoj, por do pres me qetësi verifikimin e kësaj situate.

As si individ as si gjyqtare nuk jam krenare për videot e publikuara. Shpresoj që ky sulm mos të jetë ndaj meje sepse jam grua dhe nënë. Ndërsa kërkoj ndjesë për cilindo që është ndjerë keq nga ato video. Dua të theksoj me forcë se asnjë insinuatë apo përbaltje nuk do më influencojnë të japë drejtësi dhe të punoj ndershmërisht si deri më sot”.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka nisur hetim disiplinor Kapedanin, pas publikimit të disa videove  në rrjetin e saj social TikTok. Aktualisht Enkeleda Kapedani po hetohet për shkelje të rëndë të etikës, pasi videot e publikuara ishin pikërisht në ambientet e punës. Por burime pranë ILD-së bëjnë me dije për Klan News se do të kontrollohet e gjithë puna dhe vendimmarrja e gjyqtares. Menjëherë pas reagimit të Kryeinspektorit Metani në rrjetin social TikTok është mbyllur profili me emrin e gjyqtares. /tvklan.al