“Drafti i Kodit të miratohet pa ndryshime”

Për demokratët nuk ka asnjë dyshim se ndryshimet që Kuvendi po bën në Kushtetutë ndalojnë koalicionet parazgjedhore në kundërshtim të hapur me konsensusin e arritur mes palëve në Këshillin Politik.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi shprehet se Kryeministri Edi Rama gënjen kur deklaron se amendamentet kushtetuese nuk prekin marrëveshjen e 5 Qershorit dhe nuk i ndalojnë koalicionet.

“Ndryshimet e tij të njëanshme kushtetuese i eliminojnë koalicionet dhe prishin Marrëveshjen e 5 Qershorit. Nuk ka asnjë mënyrë që Edi Rama të miratojë këtë marrëveshje pa e ndryshuar, siç gënjeu edhe sot. Duke eliminuar koalicionet siç parashikohen sot me Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, Edi Rama zhbën këtë marrëveshje”.

Bardhi shprehet se Edi Rama është i frikësuar nga koalicioni i madh opozitar, ndaj dhe kërkon të detyrojë partitë të garojnë siç do ai, me një listë të përbashkët.

“Faktet tregojnë se Edi Rama ka rënë dakord dhe Partia Socialiste ka firmosur më 5 Qershor, që jo vetëm të vazhdohet me koalicionet parazgjedhore, por gjithashtu që një parti politike, pjesë e një koalicioni parazgjedhor, të paraqesë listën e vetë të veçantë. Ai është i tmerruar nga humbja e pushtetit dhe rotacioni i pashmangshëm”. 

Partia Demokratike thekson se nëse Partia Socialiste është e interesuar për të rihapur diskutimin për çështje të tjera në lidhje me Reformën Zgjedhore, ajo është e detyruar t’i parashtrojë ato për diskutime dhe vendimmarrje konsensuale në Këshillin Politik.

Tv Klan