Ingrid Mustafa, bashkëshortja e Endri Mustafës, 32-vjeçarit që u gjet i ekzekutuar me armë zjarri mëngjesin e së hënës në zonën e Livadheve në Shkodër, ka reaguar sërish për ngjarjen e rëndë. Sipas korrespondentes së Tv Klan në këtë qytet, Emi Kalaja, bashkëshortja e viktimës deklaron se është telefonuar nga familja Bajri, e cila i ka mohuar se qëndron pas vrasjes së 32-vjeçarit. Gruaja thotë se familja e saj nuk ka konflikt me asnjë fis. “Nuk ngatërrohemi me fise”, mësohet të jetë shprehur Mustafa.

Ajo i bën thirrje i bën thirrje kryeprokurorit Olsian Çela që të zbardhë ngjarjen, ndërsa insiston se 15-vjeçari, i arrestuar më herët gjatë kësaj të marte, i di të gjitha. Ingrid Mustafa thotë se ishte pikërisht ky i fundit personi me të cilin u largua nga shtëpia bashkëshorti i saj, i cili 3 ditë më vonë u gjet i vrarë.

Më herët, ishte babai i Ibrahim Licit, Mustafa Lici, i cili në një reagim për gazetarët hodhi akuza ndaj familjes Bajri dhe Bilali.

Policia e Shkodrës njoftoi këtë të martë shpalljen në kërkim të 28-vjeçarit Ibrahim Lici si autor i dyshuar i vrasjes së Endri Mustafës, si dhe arrestimin e dy të tjerëve, një 15-vjeçari si bashkëpunëtor në krim dhe një 26-vjeçari si person që kishte dijeni për ngjarjen./tvklan.al