Real Madrid u shpall për herë të 34 kampion i Spanjës falë fitores 2 – 1 me Villarreal, por kësaj here festimet ishin më të përmbajtura.

Në sheshin Cibelles nuk pati grumbullime, pasi klubi kishte lajmëruar më parë tifozët të mos mblidheshin aty për shkak të koronavirusit. Policia qëndroi e vëmendshme gjatë të gjithë kohës në rrugët e qytetit.

Futbollistët iu gëzuan në fushë dhe në dhomat e zhveshjes trofeut që ia rrëmbyen Barcelonës që para ndërprerjes për shkak të pandemisë ishte në krye, por situata u kthye me rinisjen e kampionatit. Llogaritë u mbyllën edhe pse duhet luajtur java e fundit e La Liga.

Sukses pas 3 vitesh në kampionat për Real Madrid që e meritoi plotësisht me paraqitjen që pati në pjesën e fundit të sezonit. Sportivët madrilenë e festuan këtë titull që e quajtën të paharrueshëm për mënyrën se si erdhi.

Tv Klan