Real Madrid ka fituar 2-1 në transfertë kundër Barcelonës në edicionin e 265-të të “El Clasico”, duke u mohuar katalanasve rekordin historik të 10 fitoreve radhazi në fillimin e sezonit të La Ligës.
Skuadra madrilene, u shfaq kërkuese pavarësisht kontrollit të lojës nga vendasit. Rezultati u zhbllokua në minutën e 41-të nga Kylian Mbappe, i cili realizoi me fat pasi një top i larguar nga mbrojtësi Gerard Martin u përplas te francezi dhe përfundoi në rrjetë.
Katalanasit e nisën me vrull pjesën e dytë dhe arritën të barazojnë shifrat në minutën e 61-të me anë të Raphinha, i cili gjeti cepin e portës për golin e tij të 15-të sezonal në të gjitha kompeticionet.
Portieri Andriy Lunin, i cili luajti si titullar në vend të Thibaut Courtois, kreu ndërhyrje shpëtimtare për të mbajtur rezultatin në barazim, duke ndalur raste të rrezikshme të ofensivës “Blaugrana”. Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej në barazim, Eduardo Camavinga pasoi në qendër për Mbappe. Sulmuesi francez e shtyu topin me lehtësi në portën e boshatisur në minutën e 88-të, duke vulosur fitoren 2-1 dhe dopietën e tij personale.
Me këtë sukses, Real Madrid ngjitet në vendin e tretë me 24 pikë duke ngushtuar në vetëm tre pikë diferencën me Barcelonën kryesuese, teksa i jep fund njëkohësisht serisë prej 23 fitoresh radhazi të katalanasve në fushën e tyre.
/tvklan.al












Botërori 2026 
