Kursehen 58 milionë Euro

Real Madrid u ka propozuar lojtarëve uljen e pagave me 10 deri në 15% për të përballuar rënien e shpejtë të të ardhurave për shkak të pandemisë. Në rast se Los Blancos arrin objektivin e një ulje prej 15% të pagave, kursimet do të ishin rreth 58 milionë euro. Kjo është një masë edhe për të shpëtuar vendet e punës për punonjësit e klubit të stadiumit dhe administratës.

Sezonin e kaluar lojtarët dhe menaxherët pranuan një ulje të pagës që i kurseu Real Madrid 39 milionë euro, por tani situata duket sërish serioze dhe shqetësuese. Stadiumi Bernabeu është nën rikonstruksion, ndaj nëse nuk kursehet në paga, do të ishte e papërballueshme kalimi i kësaj situate, të paktën deri në rikthimin e tifozëve në stadiume.

Një tjetër shqetësim për Real Madrid është kapiteni. Sergio Ramos nuk ka rinovuar ende me klubin spanjoll. Ai ka shumë treg dhe mund të largohet në fund të sezonit, pavarësisht se gjasat janë që të rinovojë sërish.

PSG është klubi që do me patjetër shërbimet e kapitenin spanjoll. AS shkruan se ata janë gati për një ofertë shumë joshëse për mbrojtësin e madrilenëve. Ramos do t’i ofrohet një ofertë 3-vjeçare. Mbrojtësi i Real Madridit do të ketë një rrogë 20 milionë euro neto në sezon. Një shifër e jashtëzakonshme që mund të tundojë futbollistin, teksa te Real përfiton 12 milionë euro. Dhe mos harrojmë, ai në mars mbush 35 vjeç.

Tv Klan