Gjykata e Madridit vendosi të heqë masën ndaluese ndaj UEFA-s për klubet rebele të Superligës Europiane

Barcelona, Real Madridi dhe Juventusi rrezikojnë që të penalizohen nga UEFA për përfshirjen e tyre në projektin e Superligës Europiane, pasi një gjykatës i ri në Tribunalin Superior të Drejtësisë të Madridit, e hoqi bllokimin ndaj qeverisë së futbollit europian.

Ky vendim do të thotë se tani UEFA nëse dëshiron, mund të veprojë ndaj tri klubeve rebele, të cilat vazhdojnë që të këmbëngulin për realizimin e krijimit të Superligës Europiane.

Institucioni numër 1 i futbollit europian e mirëpriti vendimin e gjykatës, por refuzoi që të bënte një koment në lidhje me këtë rast.  Por gjasat janë të pakta që UEFA të ndëshkojë të tria klubet, pasi çështja do të shqyrtohet edhe në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.

Vendimi për heqjen e bllokimit ndaj qeverisë europiane të futbollit për të vepruar ndaj Realit, Barçës dhe Juves vjen 1 vit pasi 12 klube të kontinentit të vjetër bënë publike planet e tyre për të krijuar një Superligë të tyren. Por kjo solli reagime nga tifozët dhe ekipet europiane, e detyroi nëntë prej klubeve të bënin prapa-kthehu.

Tani klubet rebele rrezikojnë sanskione të rënda.

Klan News